Mbrojtësi brazilian

Marcelo mendon se Real Madridi nuk ka probleme me sjelljen në fushë

Mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo e ka mohuar idenë se kampionët në fuqi të Champions Leagues kanë probleme me sjelljen në fushë pas humbjes turpëruese 0-3 ndaj CSKA Moskës në “Santiago Bernabeu”.

Kjo ishte humbja më e thellë e Real Madridit në shtëpi në kompeticionet europiane gjatë historisë së lavdishme të klubit spanjoll, megjithatë “Los Blancos” e përfunduan grupin G në vendin e parë.

“Nuk besoj se është një problem i sjelljes. Ne kurrë nuk futemi në fushë me qasje të gabuar por ndoshta paraqitja jonë mund të jetë interpretuar si e tillë. Duhet gjithmonë të luajmë me dëshirë te Real Madridi. Ka ende shumë kohë deri te faza tjetër e Champions Leagues, duhet të përmirësohemi dhe të ndryshojmë këtë imazh që i kemi dhënë vetes. I kishim disa raste në pjesën e parë, CSKA goditi tre herë në portë dhe shënoi po aq gola, ata e merituan fitoren”, deklaroi Marcelo.

Atmosfera në “Santiago Bernabeu” ishte e tensionuar me tifozët që nuk ishin të kënaqur veçanërisht me Iscon të cilin e vërshëllyen.

Marcelo i dha të drejtë kësaj forme të protestës të tifozëve, derisa shtoi se duhet të ndryshohet diçka ndërsa siguroi se do të japin maksimumin që në të ardhmen mos të përsëritet një humbje e tillë.