Maqedonia në vendin e 68-të në listën e Forbesit të vendeve më të mira për biznes

Maqedonia është ranguar në vendin e 68-të në listën e revistës prestigjioze Forbes për udhëheqje me biznes. Si kritere janë marrë 15 faktorë, përfshirë të drejtat pronësore, tatimore, teknologjinë, nivelin e korrupsionit, lirinë, burokracinë, vëllimin e tregtisë, cilësinë e jetës dhe fuqinë punëtore.

“Nga pavarësimi i saj më 1991, Maqedonia ka arritur përparim në liberalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit. Shkalla e ulët e tatimit dhe zonat e lira ekonomike kanë ndihmuar që të tërhiqen investime të huaja, por ajo ende është në nivel të ulët lidhur me pjesën tjetër të Evropës. Korrupsioni dhe sundimi i dobët i të drejtës mbeten probleme kryesore. Disa firma ankohen për rregulla jo transparente dhe zbatim jo të barabartë të ligjit. Ekonomia e Maqedonisë është ngushtë e lidhur me Evropën si klient për eksport dhe burim të investimeve dhe bart pasoja si rezultat i dobësisë së prolonguar në eurozonën”, thuhet në shpjegimin e Forbesit.

Papunësia edhe më tej mbetet e lartë me rreth 23 për qind, por e mundur është të nënvlerësohet për shkak të ekonomisë gri që vlerësohet se arrin mes 20 dhe 45 për qind të BPV-së që nuk është evidentuar në statistikën zyrtare. Maqedonia punon në ndërtimin e naftësjellësit dhe rrjetit distributiv nëpër gjithë vendin. Për momentin, Maqedonia i merr sasitë e vogla të gazit natyror nga Rusia përmes Bullgarisë, shkruan Forbes.

Në vitin 2016, Maqedonia ka nënshkruar memorandum për mirëkuptim me Greqinë për ndërtim të interkonektorit që mund të lidhet me Gazsjellësin transadriatik që do të kalojë nëpër rajon. Maqedonia ka arritur të ruajë stabilitetin makroekonomik gjatë krizës financiare globale përmes zbatimit të politikës monetare të cilën e mban valuta vendore lidhur me euron, ndërsa inflacioni është në nivel të ulët.

Listën e Forbesit, për të dytin vit me radhë e kryeson Britania e Madhe, që është shtet i vetëm mes 30 të parëve (nga gjithsej 161 të ranguar) që ka pasur rezultate më të mira në të 15 sfera të cilat janë vlerësuar. Në vendin e dytë është Suedia, ndërsa i treti Hong Kongu.

Nga vendet e rajonit më mirë e ranguar është Sllovenia në vendin e 31-të, Rumania e 41-ta, Bullgaria në vendin e 46-të, Kroacia 52, Serbia e 56-ta, Mali i Zi 72, Shqipëria 74 dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 92-të.