Manchester City fiton me goleadë dhe shtyn më shumë festën e Liverpool

Kur mungojnë edhe 8 javë nga fundi i kampionatit anglez, Liverpool mundtë cilësohet kampion tashmë, pasi i mjaftojnë vetëm 4 pikë për të siguruar matematikisht triumfin, megjithatë Manchester City duket e vendosur t’ia shtyjë sa më gjatë festën.

Të besuarit e Pep Guardiolës bënë një ndeshje perfekte ndaj Burnleyt në “Etihad Stadium” dhe arritën të triumfojnë me rezultatin e thellë 5-0, në një sfidë ku i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë.

Sfida u zhbllokua që në minutën e 22-të, kur sulmuesi i ri i talentuar Phil Foden u shërbye saktë nga Bernardo Silva dhe dërgoi sferën në rrjetë, ndërsa në minutën e 43-të ishte Rijad Mahrez që dyfishoi shifrat.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Sergio Aguero pësoi një faull në zonë dhe u detyrua t’i lërë vendin brazilianit Gabriel Jesus, ndërsa Mahrez u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke shënuar golin e dytë personal e të tretin për “citizens”.

Gjatë 45-minutëshit të dytë, Manchester City arriti të shënojë edhe dy gola të tjerë, fillimisht me David Silvën dhe më pas sërish me 20-vjeçarin anglez Phil Foden, duke kompletuar goleadën 5-0.