Sulmuesi kosovar

Mallorca kalon në finale të Kupës së Mbretit, eliminon Sociedadin pas penalltive

Mallorca ka kaluar në finale të Kupës së Mbretit.

Skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre eliminoi sonte Real Sociedadin, në gjysmëfinale të kësaj gare.

Përballja e dytë gjysmëfinale e luajtur në “Reale Arena” nuk prodhoi fitues gjatë kohës së rregullt dhe përfundoi me rezultatin 1:1. Edhe përballja e parë ishte mbyllur baras, por pa gola.

Kjo ndeshje u vendos pas penalltive, pasi edhe vazhdimet prej 30 minutave nuk dhanë fitues.

“Piratët” kaluan të parë në epërsi me golin e Giovanni Gonzalez (50′), teksa vendasit barazuan përmes Mikel Oyarzabal (71′).

Në ekezkutimin e penalltive më të saktë u treguan futbollistët e Mallorcas, që triumfuan me rezultatin 4:5.

Vedat Muriqi në këtë ndeshje luajti si zëvendëdues, duke u inkuadruar në minutën e 67-të.

Sulmuesi kosovar e mori përgjegjësinë për të ekzekutuar penalltinë e parë për skuadrën e tij, të cilën e shndërroi në gol.

Mallorca në finale do të takohet me Athletic Bilbaon ose Atletico Madridin. Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave ishte fituar minimalisht (0:1) nga Bilbao, kurse ndeshja e kthimit do të zhvillohet të enjten, në “San Memes”.