Majlinda Kelmendi mposhtet në gjysmëfinale, mbetet në garë për medalje

Majlinda Kelmendi e ka humbur mundësinë për ta kompletuar het-trikun në Kampionatin Botëror Tokyo 2019, pasi u mposht nga kampionia e botës në fuqi, Uta Abe, në gjysmëfinale të hënën.

Xhudistja kosovare ishte në kërkim të titullit të tretë të botës në Tokyo 2019, por u ndal nga 19-vjeçarja japoneze dhe tani do të luftojë për medaljen e bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë.

Në luftë pë medaljen e bronztë, 28-vjeçarja nga Peja do të përballet me portugezen Joana Ramos.

Abe e mposhti Kelmendin me ippon por vetëm pas kohës shtesë, pas një lufte dërrmuese që në kohë të rregullt u mbyll pa fitues.

Megjithatë, kosovarja ishte ndëshkuar me dy penallti dhe iu desh të luftonte me shumë kujdes sepse një penallti e tretë do të nënkuptonte eliminim për të.

Kelmendi, që është kthyer në botëror pas mungesës vitin e kaluar shkaku i lëndimit, shfaqi shenja lodhjeje derisa dueli po vazhdonte.

Në fund, kampionia olimpike nuk mundi t’i bëjë ballë energjisë së 19-vjeçares japoneze Abe, e cila fitoi me ippon.

loading…