Visar Ymeri

Macron krijon “ankth” në Kosovë për vizat, Visar Ymeri tregon se si duhet të lexohet ky paralajmërim

Shumë qytetarë të Kosovës po e presin me padurim, por data 1 janar i vitit 2024 rrezikon t’i zhgënjejë kosovarët nëse kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq nuk angazhohen në normalizim dhe nëse nuk sillen me përgjegjësi. Kështu ka paralajmëruar dje presidenti francez Emmanuel Macron.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë zotimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dyja palët nuk sillen me përgjegjësi”, tha presidenti Macron, duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme posaçërisht kur qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është në rrezik.

Këto deklarata të Macron në një prononcim për Perisopin i ka komentuar analisti politik Visar Ymeri. Sipas tij kjo është një trysni që po i bëhet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se po kërkohet që të dyja palët të jenë konstruktive. Ymeri tha se qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasysh paralajmërimin e presidentit francez.

“Shtyrja e hyrjes në fuqi të vendimit që na e mundëson lëvizjen pa viza nëpër vendet e BE-së do të kishte me qenë një lajm shumë i keq për qytetarët e Kosovës. Dhe natyrisht që këtë duhet ta ketë parasysh qeveria e Republikës së Kosovës. Siç shpresoj e ka parasysh edhe BE dhe vendet anëtare. Së këndejmi mendoj që kjo çështje është duke u parë si instancë e fundit e trysnisë ndaj Kosovës që të luaj një rol konstruktiv në dialogun me Serbinë. Njëkohësisht deklarimet e djeshme të Presidentit Macron tregojnë se trysnia parashihet të ushtrohet ndaj të dyja palëve. Pra është kërkesë edhe ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë që të luajnë rol konstruktiv drejt zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel përfshirë aneksin e dakorduar në Ohër. Kjo nuk do të thotë se të dyja palët do të sanksionohen, por që BE do të vendos dhe pastaj do t’ua prezantojë vendeve anëtare raportin përmbi sjelljen e palëve dhe kë ata e shohin si pengesë të arritjes dhe zbatimit të marrëveshjes”, tha Ymeri.

Tutje Ymeri thotë se në fillim të këtij shtatori Kosovës do t’i kërkohet nisja e procesit të themelimit te Asociacionit, ndërsa për “Serbinë kërkesat që do të ndërlidhen më angazhimin për ta mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale për katër komunat”.

“Kërkesa e menjëhershme në fillim të shtatorit do të jetë ajo e mëhershmja: depërshkallëzim sipas pikave të BE-së; nisja e procesit të themelimit të Asociacionit sipas dakordimit në Ohër, e që nënkupton si pikë e parë draftimin e statutit nga ana e Kosovës për ta nisur procesin e negocimit mbi të. Ndërsa për Serbinë kërkesat sigurisht që do të ndërlidhen më angazhimin për ta mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale për katër komunat, si dhe mbase veprim që ndërlidhet me njohjen e pasaportave të Kosovës. Mendoj që Serbisë duhet t’i kërkohet menjëherë që të definohet sjellja e saj karshi anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, pra që të definohet çka nënkupton mos pengimi i anëtarësimit, e ku duhet insistuar që Serbia në asnjë mënyrë nuk guxon të flas kundër anëtarësimit. Por shtesë kësaj duhet definuar edhe si voton Serbia në këto organizata karshi Kosovës”, përfundoi Ymeri.

Kujtojmë se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak , gjatë qëndrimit të tij në Bled, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajçak ka treguar se takimi i tij me Kurtin ishte përgatitje e takimit të radhës në shtator, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Zhvillova një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, shkroi Lajçak.