Luis Suarez

Luis Suarez rrëfen dramën me gjurin: Djali më kërkon të luaj me të, por nuk mundem

Luis Suarez i thotë lamtumirë eksperiencës së tij me Gremio. Ai foli për radion uruguajane ‘Sport 890’ mbi problemet që ka me gjurin, kombëtaren dhe për arsyet pse luajti me Atlético Madridin.

Uruguajani është sërish një lojtar i lirë pas kohës së tij në Brazil, por nuk dëshiron të nxitojë në rrugëtimin e ri: “Është trupi im, ai që flet. Dhimbja që ndiej çdo ditë është e madhe. Kam fituar të drejtën për të vendosur, të them mjaft dhe ta shijoj vendin ku mund të luaj.

Ndjenja ime më tha se duhej të shkoja tek Atlético Madridi. Kjo më dha shtysë hakmarrjeje për të treguar në La Liga se Suarez ishte ende i vlefshëm”. Në fakt ai ishte njeriu kyç në titullin e La Liga-s për skuadrën e Simeone, falë 21 golave të tij, përfshirë ato vendimtarët kundër Osasuna dhe Valladolid.

Aktualisht, Suarez ka folur për gjendjen e gjurit të tij, problemet nga të cilat ka vuajtur prej vitesh. Sulmuesi vuan nga konsumimi i kërcit të brendshëm, si dhe një problem që nuk e lejon atë ta zgjasë këmbën 100%. Një situatë që e detyron të marrë tre pilula qetësuese çdo natë.

Situata e tij ka arritur në një pikë delikate, ku duhet të vendosë për hapin e radhës: “Më duhet të mendoj se edhe pas pesë vitesh nuk do të mund të luaj dot futboll me miqtë e mi. E vërteta është se hapat e parë të mëngjesit janë shumë të dhimbshëm. Kushdo që më sheh mendon se është e pamundur për mua të luaj futboll. Djali im më kërkon të luaj me të, por nuk mundem”.