Spanja nuk arriti ta përmbyll grupin si lidere në Grupin 4 të Ligës A, përkundër këtij fakti përzgjedhësi i iberikëve, Luis Enrique është ndarë i kënaqur me progresin e treguar nga futbollistët e tij pas dështimit në Kupën e Botës.

Ish trajneri i Barcelonës u ul në stolin e Spanjës duke pasuar në këtë detyrë Fernando Hierron, ndërsa starti i Enriques në drejtimin e “Furia Rojas” ishte i mrekullueshëm teksa mposhti Anglinë 1-2 në “Wembley” dhe Kroacinë 6-0 në Spanjë, por disfatat e pësuar në ndeshjet e revanshit rikthyen me këmbë në tokë 1 herë kampionin e botës.

Fitorja e Anglisë ndaj Kroacisë zyrtarisht i renditi spanjollët në vendin e dytë, megjithatë Enrique ka preferuar të ndalet të gjërat pozitive që skuadra e tij ka arritur.

“Sigurisht se do të kishim dashur të ishim pjesë e 4 skuadrave më të mira në Ligën A, u duk se ishim duke e arritur këtë objektiv pas dy ndeshjeve të para, por duhet thënë se ky ishte grupi më i vështirë nga të gjithë tjerët. Kam qenë i vetëdijshëm se lojtarët nuk do t’i arrinin të gjitha kërkesat e mija por jam i kënaqur dhe i lumtur me qasjen e tyre”, theksoi Enrique.

48 vjeçari pati lëvdata për anëtarin e Real Madridit, Iscon i cili në miqësoren e fituar 1-0 me Bosnjën ishte edhe kapiten.

“Isco është një futbollist i ndryshëm nga të tjerët. Ai është vendimtar me kualitetin e tij të madh. Isco ka udhëhequr Real Madridin dhe kombëtaren prej vitesh”, përfundoi Luis Enrique.