Julen Lopetegui ka besim se fitoja e arritur mbrëmë 2-1 ndaj Viktoria Plzen në Champions League mund të rezultojë si pikë kthese në sezonin e Real Madridit.

Trajneri i “Los Blancos” ishte pranë shkarkimit pas serisë negative prej 5 ndeshjeve pa fitore në të gjitha kompeticionet, ndërsa marrja e 3 pikëve ndaj skuadrës çeke e ka qetësuar paksa situatën e ish përzgjedhësit të Spanjës, i cili e ka marrë edhe konfirmimin e Butraguenos se do të jetë në stol në “El Classico” qç zhvillohet të dielën.

“Gjëja më e rëndësishme ishte t’i marrim 3 pikët. Unë zgjedh të fokusohem te zhvillimet pozitive si fitorja dhe përfundimi i rezultateve të dobëta. Skuadra do të rritet nga ky rezultat dhe fitoret do të sjellin qetësi”, tha Lopetegui.

52 vjeçari insiston se është i qetë në drejtimin e Real Madridit pavarësisht se është i lodhur.

“Keni studiuar psikologjinë? Unë ndihem mirë këtu. Është vetëm se unë nuk qesh shumë në përgjithësi. Tani jam shumë më i lumtur se në takimin me Levanten. Këto janë 3 pikë shumë të rëndësishme duke llogaritur se prej nga jemi duke ardhur”, theksoi Lopetegui.