Legjenda franceze

Lojtari i Monacos s’e rivendos në vend karrigen, Henry ia ngul sytë çuditshëm

​Ish-futbollisti legjendar, Thierry Henry, e ka filluar karrierën e tij si trajner me Monacon, dhe përveç që nga lojtarët e tij kërkon paraqitje dhe rezultate më të mirë, ai dëshiron t’ua mësojë atyre edhe rëndësinë e sjelljeve të mira.

Ish-ndihmës trajneri i Kombëtares së Belgjikës ishte në konferencë për shtyp me lojtarin e tij, Benoit Badiashile, para ndeshjes së kësaj mbrëmje të Ligës së Kampionëve, kundër Dortmundit.

Sapo përfundoi konferenca për shtyp, këta të dy u ngritën në këmbë për t’u larguar nga ajo salle dhe talenti i Monacos harroi ta vendoste në vend karrigen e tij.

Henry, i cili u emërua trajner i Monacos në tetor të këtij viti pas shkarkimit të Leonardo Jardimit, e shikoi ashpër mbrojtësin 17-vjeçar, i cili pastaj u kthye dhe e rregulloi karrigen, para se të largoheshin të dy së bashku nga ajo dhomë.

Henry është duke u përballur me një detyrë mjaft të vështirë me klubin e tij, pasi që ata pozicionohen në pozitën e 19-të pas 16 ndeshjeve të këtij sezoni. Gjithashtu, klubi francez është eliminuar edhe nga Liga e Kampionëve dhe janë në fund të Grupit A me vetëm një pikë.