Liverpooli e shkatërron Arsenalin për t’iu afruar në dy pikë top katërshes në Premierligës

Liverpooli e ka shkatërruar 3:0 Arsenalin në një ndeshje derbi mes skuadrave që luftojnë për top katërshe në Premierligë, dhe i është afruar Chelseat në vetëm dy pikë.

Diogo Jota me dy gola dhe Mohamed Salah me një në pjesën e dytë në Emirates Stadiumin e fundosën Arsenalin dhe mbase edhe shpresat e tij për kualifikim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Granit Xhaka i mungoi Arsenalit për shkak se është i sëmurë, ndërsa Xherdan Shaqiri u la në bankën e rezervistëve tërë kohën nga trajneri Jurgen Klopp.

Pas më shumë se një orë lojë pa gola dhe me gjithë dominimin e madh të Liverpoolit, sulmuesi portugez Jota e theu akullin kur shënoi me kokë në minutën e 64-të, pas një harkimi nga Trent Alexandre-Arnold.

Salah e dyfishoi epërsinë vetëm katër minuta më vonë, kur shënoi gol individual duke ia kaluar mes këmbëve topin portierit gjerman Leno.

Jota e vulosi fitoren e të kuqve me një goditje mbresëlënëse në minutën e 82-të, duke e realizuar golin e dytë personal në këtë takim.

Skuadra e Jurgen Klopp Liverpool tani grumbullon 49 pikë pas 30 ndeshjeve, vetëm dy më pak se Chelsea në vendin e katërt.

Arsenali ngel në vendin e nëntë me 42 pikë pas 20 ndeshjeve, shtatë pikë larg zonës evropiane.