Liridon Krasniqi synon kualifikimin në Kupën e Botës me Malajzinë

Një shqiptar në përfaqësuesen e Malajzisë në futboll. Liridon Krasniqi, i cili konsiderohet lojtari i huaj më i suksesshëm në Superligën e këtij vendi, ka vendosur të luajë për kombëtaren malajziane me dëshirën e madhe për të dhënë kontribut në kualifikimin e mundshëm në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

27-vjeçari është grumbulluar me Malajzinë për ndeshjet e raundit të dytë eliminator të Azisë për botërorin që do të mbahet pas tre vjetësh.

Mediet malajziane kanë konfirmuar të hënën se Krasniqi tashmë është pajisur me nënshtetësi dhe ka të drejtë loje në këto eliminatore.

Ai pritet të debutojë te Malajzia më 5 shtator në ndeshjen kundër Indonezisë. Kjo përballje i përket Grupit G eliminator, në të cilin bëjnë pjesë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Vietnami e Tajlanda. Fituesi i grupit, do të avancojë në raundin e tretë eliminator, përmes të cilit pastaj kërkohet kualifikimin për botërorin “Katar 2022”.