UEFA

Liga e Kampionëve: Vdes një tifoz pas përleshjeve mes përkrahësve rivalë në Athinë

Një tifoz grek 29-vjeçar ka vdekur pas përleshjeve mes përkrahësve rivalë gjatë natës së 7 gushtit në Athinë, duke e detyruar shtëpinë e futbollit evropian, UEFA, ta shtyjë ndeshjen kualifikuese të së martës në Ligën e Kampionëve mes AEK-ut të Athinës dhe Dinamo Zagrebit, për shkak të dhunës.

Pas vdekjes së tifozit, autoritetet greke kërkuan që të gjithë tifozët të përjashtohen nga ndeshja mes AEK-ut dhe Dinamo Zagrebit të Kroacisë në stadiumin Opap.

Tifozët e Dinamos nuk kishin të drejtë të shkonin në stadium gjithsesi, pas një vendimi të më hershëm të UEFA-s.

Tetë tifozë u lënduan gjatë përleshjeve pranë stadiumit të AEK-ut. Policia greke tha të martën se i ka arrestuar 88 persona, kryesisht tifozë kroatë.

UEFA thotë se ajo që duhej të ishte ndeshja e kthimit në Zagreb të mërkurën e ardhshme, do të jetë ndeshja e parë. Ndeshja e kthimit do të luhet në Athinë të premten e 18 gushtit, apo të shtunën e 19 gushtit.

“UEFA shpreh keqardhje të madhe për këto incidente të tmerrshme që ndodhën në Athinë mbrëmë, dhe për pasojë patën humbjen e një jete”, tha UEFA në një komunikatë për media. “Duke e shprehur dhimbje të thellë për familjen e viktimës, AEK Athens FC dhe tifozët e tij, ne duam ta përsërisim se dhuna nuk ka vend në sportin tonë, dhe presim që përgjegjësit e kësaj vepre të tmerrshme të arrestohen dhe të sillen para drejtësisht sa më parë”.

“Pas dhunës së djeshme dhe në konsultim me autoritetet lokale, UEFA ka vendosur se nuk plotësohen kushtet për zhvillimin e ndeshjes së sotme mes AEK Athens FC dhe GNK Dinamo”, njoftoi shtëpia e futbollit evropian.

UEFA dhe autoritetet greke kishin parashikuar telashe në kryeqytetin grek, për shkak të dy ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Kampionëve në dy net radhazi, për të cilat do të vinin tifozë vizitorë të njohur për trazira.

Si pasojë, UEFA kishte kërkuar që asnjë biletë të mos shitej për tifozët vizitorë për ndeshjet AEK-Dinamo të martën dhe Panathinaikos-Marseille të mërkurën.

Mediat kroate raportojnë se 200 tifozë kishin udhëtuar drejt Athinës, me gjasë si turistë të zakonshëm, pavarësisht se e kishin të ndaluar hyrjen në stadium.

Dinamo e ka një grup të tifozëve të ekstremit të djathtë, i cili e quan veten “Djelmoshat e Këqij Blu”.