Lider në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, publikohen fjalët e Mbappe në pushimin e finales

Kylian Mbappe është vetëm 24-vjeç, i mbushi më datë 20 dhjetor. Megjithatë, mosha nuk ka të bëjë aspak me atë që sulmuesi tregon në fushë, dhe mbi të gjitha me liderin që shfaqet në dhomat e zhveshjes.

Së fundmi, është publikuar edhe fjalimi i lojtarit të PSG në pushimin e finales mes Argjentinës dhe Francës teksa “Gjelat” ishin duke u mposhtur me rezultatin 2-0 dhe ishin autorë të një paraqitje tejet zhgënjyese në 45-minutat e para. Mbappe ia thekson shokëve të skuadrës se duhet të reagojnë pasi bëhet fjalë për Kupën e Botës që luhet një herë në katër vite dhe shton se mund ta përmbysin ndeshjen.

“Nuk mund të bëjmë më keq se kaq. Tani do të rikthehemi sërish në fushë dhe duhet të ndryshojmë sjellje. Kemi pësuar dy gola, por mund ta kthejmë ndeshjen. Dreqin djema, kjo ndeshje, ky kompeticion është një herë në katër vite”, iu drejtohet Mbappe shokëve të skuadrës.