New York Times

Lajmet e rreme si “armë” dezinformimi për Izrael-Palestinë

New York Times ka publikuar një artikull të gjatë duke treguar për fenomenin e përgënjeshtrimit të fakteve dhe krijimin e konfuzitetit nëpërmjet publikimit të lajmeve të rreme. Specifikisht kjo po ndodh në kohën e konfliktit Izrael – Palestinë, praktikë e cila ka qenë e pranishme edhe në fillimin e luftës Ukrainë – Rusi.

Rrjetet sociale tashmë janë bombarduar nga imazhe, pamje grafike, video e deri te kinse komunikatat e dala nga Shtëpia e Bardhë, përcjellë RTKlive.

Një video lojë shndërrohet në ‘sulm’ të Hamasit

New York Times ka listuar disa nga lajmet e rreme, duke e nisur artikullin me shpërndarjen e videos e cila supozohet se tregon pamjet e “një sulmi të ri ajror në pjesë të Izraelit”. Por imazhet janë marrë në fakt nga një video lojë, “Arma 3”, e shpërndarë në vitin 2022. Madje pamjet nga ajo lojë janë përdorur në të kaluarën për të keqinterpretuar konflikte të tjera, duke përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Video e 2015-ës përgenjështrohet si produkt i 2023-ës

Në rrjete sociale është shpërndarë videoja e një gruaje duke u djegur në zjarr, e rrethuar nga një turmë njerëzish, duke pretenduar se tregonte torturën e një gruaje izraelite të kapur në një festival.

“Kjo është fytyra djallëzore e terroristëve të Hamas Xhihadit që torturojnë vajzën izraelite në Festivalin e Natyrës në Re’im,” thuhej në një postim në rrjetin social X.

Përmbajtja reale e videos ka të bëjë me dhunën që ndodhi në Amerikën Qendrore në vitin 2015, jo në Izrael në vitin 2023. Pamjet paraqesin raportimin e CNN për një 16-vjeçare duke u djegur për vdekje në një fshat të Guatemalës, përcjellë RTKlive.

Njoftimi i rremë i Shtëpisë së Bardhë

Përgënjeshtrimet kanë shkuar edhe te njoftimet e Shtëpisë së Bardhë. Një imazh supozonte se ishte lëshuar nga Shtëpia e Bardhë më 7 tetor, duke e shfaqur si ndihmë ndaj Izraelit prej 8 miliardë dollarësh. Madje thuhej se Ukraina do të kishte konkurrencë tashmë për ndihmë nga SHBA-të. Mirëpo në fakt Shtëpia e Bardhë nuk kishte lëshuar ndonjë njoftim të tillë, e cila në pamje ngjasonte tejet shumë me njoftimin e korrikut për ndihma ndaj Ukrainës, transmeton New York Times e përcjellë RTKlive.

Një ‘shpikje’ e raportimit të BBC-së

Një video e rreme e shpërndarë në Telegram dhe X, supozonte se sipas raportimit të BBC-së, grupi që hetohej për sulmet terroriste i kishte blerë armët e ofruara nga NATO për Ukrainën.

“Bellingcat: Dështimi i ofensivës ushtarake ukrainase dhe sulmi i HAMAS-it të lidhura”, thuhet në tekstin e hapjes në video.

Por, BBC nuk e publikoi kurrë atë raport dhe pretendimi themelor është i pavërtetuar. Themeluesi i Bellingcat, Eliot Higgins, e quajti videon “100% false”. Shayan Sardarizadeh, një gazetar i BBC, tha gjithashtu se ishte e rreme.

Një kishë ortodokse e pa prekur

Lajmet e rreme nuk kanë lënë anash as institucionet fetare. Në rrjetin social X është publikuar një imazh duke thënë se avionët luftarakë izraelitë po bombardojnë kishën ortodokse të Shën Porfirit, e cila është kisha më e madhe në Gaza.

Zyrtarët e kishës e përgënjeshtruan lajmin duke thënë se kisha nuk është prekur.

“Dëshirojmë t’ju informojmë se kisha e Shën Porfirit në Gaza është e paprekur”, thanë ata në Facebook. “Lajmet që qarkullojnë për dëmtimin e tij janë të rreme.”

CNN nuk organizoi një raport apo sulm

CNN publikoi të hënën pamje reale të një korrespondenteje, Clarissa Ward, dhe kolegëve të saj duke u strehuar për t’u mbrojtur teksa raketat lëshoheshin pranë kufirit Izrael-Gaza. Një version i manipuluar i raportit është shpërndarë gjerësisht në internet, me audio të rreme, duke thënë se një dhomë kontrolli po i jepte udhëzimet e ekuipazhit, duke sugjeruar se raporti ishte disi i inskenuar.

“Audioja në videon e postuar dhe shpërndarë në X është e fabrikuar, e pasaktë dhe shtrembëron në mënyrë të papërgjegjshme realitetin e momentit që u pasqyrua drejtpërdrejt në CNN”, tha një zëdhënës i rrjetit, duke u kërkuar shikuesve që të shikojnë pamjet reale në një platformë të besuar.

Raport i rremë për evakuimin e Ambasadës së SHBA

Të mërkurën, raporte të rreme qarkulluan në internet duke pretenduar se Ambasada e SHBA-së në Liban ishte duke u evakuuar, duke bërë që zyrtarët të kundërshtonin publikisht pohimin.

Ambasada u përgjigj me një deklaratë të mërkurën pasdite, duke thënë se Ambasada e SHBA-së në Bejrut nuk është evakuuar dhe është e hapur dhe funksionon normalisht. Raportet që thonë ndryshe janë të rreme.

Zyrtarët e ambasadës kanë këshilluar qytetarët amerikanë në zonë që të kenë kujdes dhe të shmangin udhëtimet në kufirin Liban-Izrael, ku ushtria izraelite dhe grupi Hezbollah kanë ndezur zjarr gjatë ditëve të fundit. Izraeli pushtoi shkurtimisht Libanin në vitin 2006 pasi sulmuesit e Hezbollahut kaluan kufirin dhe rrëmbyen dy ushtarë izraelitë, dhe zjarri i fundit i grupit kufitar ka ngritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal, përcjellë RTKlive.