Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, akuzoi partitë opozitare, mediat dhe shoqërinë civile në Prishtinë e Beograd që në vend se t’i përgëzojnë kryeministrin kosovar dhe presidentin serb – Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq – për marrëveshjen e arritur vitin e kaluar, ata u kritikuan ashpër në të dyja anët e kufirit.
Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë supozohet se e pranuan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pastaj e arritën një marrëveshje për planin e sekuncimit një muaj më vonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, disa pjesë të marrëveshjes kanë gjetur zbatim, shumë të tjera akoma jo.
“Dy liderët nuk u përshëndetën në mënyrë pozitive kur u kthyen nga Ohri. Askush nuk ka thënë se kjo është e mirë për ne. Kjo është e mirë për Kosovën. Kjo është e mirë për Serbinë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit. E këtu përfshihet opozita, mediat dhe shoqëria civile. Nuk kam vënë re një zë në mbështetje”, deklaroi Lajçaku në një intervistë.
“Prandaj dua të theksoj se normalizimi nuk është për liderët aktualë politikë – sigurisht, ata e kanë mandatin – por duhet të jetë një çështje e shoqërive. Duhet të prodhojë në shoqëri ndjenjën që do t’u komunikohet drejtuesve, pra se kemi nevojë për normalizim”, shtoi ndër të tjera diplomati sllovak i BE-së në një intervistë për platformën kosovare “Sbunker” të martën.
Marrëveshja e Brukselit/Ohrit ofron njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve kombëtare. Dy fqinjë armiqësor që assesi të dalin nga konflikti, do të shkëmbejnë misione të përhershme dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt integrimeve evropiane. Serbia, po ashtu, u zotua se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë, në këmbim, do t’i formalizohet statusi. Në një mënyrë më elegante është pranuar edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, duke siguruar “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit” për komunitetin serb që përbën shumicën në pjesën veriore të vendit. Por, përgjatë rrugës situata u përkeqësua.
Kryeministri Kurti vazhdoi të bllokojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër thirrjeve të BE-së që të lëvizë në këtë drejtim, ndërsa presidenti Vuçiç u përball me kritika të ashpra në Serbi, veçanërisht nga partitë opozitare të krahut të djathtë. Rrjedhimisht, zbatimi i marrëveshjeve u bë “vijë e kuqe” për opozitën në të dy anët e kufirit.







