Lajçak s’pret marrëveshje të shpejtë Kosovë – Serbi

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka thënë përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, se nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai po ashtu u ka thënë shteteve anëtare se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të bisedimeve, derisa në Kosovë të mos formohen institucionet e reja, që pritet të dalin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Lajçak ka folur para ambasadorëve në Komitetin për politikë dhe siguri, ku ka prezantuar punën e tij të deritashme, kur po afrohet fundi i mandatit të tij njëvjeçar. Ky mandat skadon në fund të muajt të ardhshëm dhe sipas burimeve diplomatike, ai pret që Këshilli i BE-së t’ia vazhdojë mandatin.

Sipas burimeve, që janë në dijeni të diskutimeve në komitetin përkatës, Lajçak ka thënë se nuk mund të flasë më për afatet kohore se kur mund të pritet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë, ai e ka arsyetuar me situatën politike në Kosovë dhe nevojën që të pritet formimi i institucioneve të reja. Lajçak, sipas këtyre burimeve, ka thënë se duhet pritur po ashtu që edhe Prishtina e Beogradi t’u tregojnë qytetarëve të vetë se çfarë kompromisesh janë të nevojshëm për një marrëveshje eventuale.

Paraqitja e Lajçakut para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare duket krejt e ndryshme nga ajo që ai thoshte në vit më parë, në fillim të mandatit. Në atë kohë ai thoshte se nuk ka kohë për të humbur dhe se do të punojë për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Është çështje muajsh e jo vitesh”, thoshin atëbotë nga Bashkimi Evropian.