IPK

Ky është kadeti policor i arrestuar si i dyshuar për dhunimin e një vajze të mitur

Një kadet i Policisë së Kosovës është arrestuar nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, ku viktimë është një vajzë e mitur nga Lipjani. Rasti lidhet me zhduken e të miturës, e cila u gjet mbrëmë dhe si rezultat u zbuluan detajet.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se kadeti policor i arrestuar për këtë rast është Omer Limani.

Ndaj tij është lëshuar urdhri për masën e ndalimit dhe tashmë kanë nisur hetimet me vendim të Prokurorit të Shtetit.

E mitura dyshohet se qëndroi me të dyshuarin gjatë kohës sa u raportua e zhdukur dhe dyshohet se kanë pasur raport intim. Vajza u gjet mbrëmë, një ditë pasi familja e saj kërkoi ndihmë në Polici.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në Stacionin Policor Lipjan DRP-Prishtinë, dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit (prokurori kujdestar). Pas prezantimit të të gjeturave të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadetin policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunimi” nga neni 277 të KPRK-së”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.