Takime

Kurti, rekordmeni i takimeve me Vuçiqin

Në 3 vjet, 3 muaj e 4 ditë të qeverisjes së tij, apo në 1192 ditët në pushtet, Albin Kurti e ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, çdo 119 ditë.

Nëse shtohen edhe takime të tjera, jo formale, si ai në Gjermani me Miroslav Lajçakun, dhe takime në samite, konferenca, e mbledhi liderësh rajonalë, atëherë ky numër do të dyfishohej.

Por, edhe pa këto të fundit, Kurti tashmë është rekordmeni i duarshtrëngimeve me Vuçiç-in në Bruksel. Askush, asnjë lider tjetër kosovar, nuk e ka përshëndetur në katër sy presidentin serb më shumë se Kurti.

Dikur kundërshtimi i çfarëdo forme të dialogut përbënte bërthamën e politikës së tij, paradoksalisht sot Kurti ka takimin e 10 me Vuçiqin.

Por, s’janë veç kundërshtimet e kamotshme që e bëjnë të pashpjegueshme këtë shpeshtësi takimesh.

Edhe fare vonë, ai potenconte se “nuk ka dialog pa u sanksionuar Serbia”, por megjithatë do të ulet në tryezën e bisedimeve përballë Vuçiç-it, ku si arbitër do ta kenë shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell-in dhe emisarin special për dialog, Miroslav Lajçak-un, për herë të parë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

Takimi në kryeqendrën evropiane pritet të nis me fillim në orën 15:00.

Kurti e Vuçiç fillimisht – siç rëndom ndodh – do zhvillojnë takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut për të vazhduar më pastaj me një takim trelateral.

Ndonëse detaje të hollësishme për agjendën e takimit nuk ka, ajo çfarë është potencuar në përgjithësi është se liderët shtetërorë do të bisedojnë për Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, e dakordësuar mes palëve më 27 shkurt e 18 mars të vitit të kaluar.

Borrell, në një konferencë për media, të hënën, tha se po bën përpjekje të vazhdueshme për të çuar përpara procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në vigjilje të takimit kryediplomati spanjoll, vlerësoi se ndonëse Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, po ngurrojnë që të njëjtën ta zbatojnë në praktikë për arsye të ndryshme.

“Për këtë arsye e shoh si të rëndësishme ta nis një cikël të ri të nivelit të lartë të dialogut për të parë se ku po qëndrojmë. Nuk dua të dorëzohem para se të mbaroj mandatin tim”, tha ai në një konferencë për media.

Për takimin në fjalë, të martën, u deklarua edhe Kurti.

I pari i ekzekutivit do të udhëtojë në Bruksel në funksion të rekapitullimit të këtij procesi.

Sipas tij të mërkurën e 26 qershorit në Bruksel do të shihet se në çfarë “gjendje ndodhet procesi i dialogut” dhe “cilat janë idetë për të ecur përpara”.

“Për bindjen time të fuqishme Marrëveshja Bazike me pjesën integrale të aneksit të Ohrit e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku de facto në qendër andaj, kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë, por e cila nuk është realizuar deri më sot”, tha ai në një prononcim të shkurtër për media.

Lidhur me pritshmëritë e tij për takimin, u deklarua edhe Vuçiç.

Ai premtoi se e të mërkurën do të ketë një qasje konstruktive dhe se do të mundohet që problemet t’i zgjidh përmes dialogut, duke shtuar se nuk beson në vullnetin e Kosovës për një gjë të tillë.

Vuçiç madje u shpreh i frikësuar nga provokimet eventuale të Kosovës.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiç-it, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.

Ata diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nuk u dakorduan për mënyrën e zbatimit të saj.

Dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, ndodhi sulmi terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Grupe të armatosura nga Serbia sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajësoi shtetin e Serbisë për sulmin, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi.

Pas këtij sulmi terrorist, dialogu u bllokua deri në fund të tetorit, kur komuniteti ndërkombëtar prezantoi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i përpiluar nga Bashkimi Evropian e i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 26 tetor në një takim me tre liderët kryesor të BE-së – Francës, Gjermanisë dhe Italisë, u kuptua që kryeministri e kishte pranuar këtë dokument me të cilin do të procedohej tutje.

Në një ekspoze të gjatë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, shefi i ekzekutivit e kishte shpjeguar në detaje se si u bë që Kosova pranoi këtë dokument.

“Kur mu tha mua nga krerët evropian se situata është urgjente dhe shansi është unik, unë thash prisni pak. Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit unë e kam pranuar nëse dëshironi në paketë le ta bëjmë. Dhe unë e pranoj si pjesë të paketës”, thoshte Kurti asokohe.

Ai madje këtë draft-statut e cilësonte si “të mirë” dhe “pakrahasimisht më të avancuar” dhe garantonte se nuk është “Zajednica” e vitit 2013 e 2015.

“Dokumenti më dha përshtypjen e një iniciativë më serioze që nuk e kisha takuar më parë. Njëjtë për nga rëndësia më bëri përshtypje fakti që zyrtarë të lartë ishin marrë me tekstin e statutit. Më thanë se hartimin e kanë bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe më thanë se është në përputhje me Ligjet e Kosovës”, deklaronte Kurti.

Për Kurtin drafti evropian ishte shkruar me kujdes për “germën e Kushtetutës”.

“Kjo qartazi nuk është Zajednicë, Nga sa kam parë shkrimi është me kujdes për germën sesa për frymën e Kushtetutës. Gjatë bashkëbisedimit aty është theksuar nevoja e urgjencës gjeopolitike”, argumento ai.

Drafti modern evropian, shpjegonte Kurti, në vlerësimin e tij politik “ndërpriste trashëgimin e mos-njohjes” së Serbisë, që sipas tij “ishte çimentuar në marrëveshjet paraprake”.

“Në vlerësimin tim politik bëhet e qartë që mekanizimi që do të themelohet do të ketë karakter bashkëpunues. Nuk ndërhynë në kompetenca të askujt. E mbyll hapësirën e Serbisë që t’u projektojë të ardhme jashtë Kosovës. Drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa”.

7 muaj më pas, Kurti në mënyrë krejt kundërthënëse dhe absurde, në një intervistë për A2 CNN, tha se për Qeverinë e Kosovës ky draft-statut modern evropian nuk është asgjë tjetër përveç se një “non-paper”.

“Është një dokument punues që nuk ka as logo as vulë as nënshkrim, nuk mundemi ne një non-paper ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.

Ai madje shpjegoi se i kishte ofruar ndërkombëtare një rrugëdalje që në vlerësimin e tij “është më e logjikshmja dhe racionalja” në situatën ku ata insistojnë në draftin që tashmë e quan të “Lajçak-ut”.

“Dërgojeni në një instancë ndërkombëtare mund të jenë juristët eminentë të Këshillit të Evropës mund të jetë Komisioni i Venedikut, por jo në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, shtonte ai.

Me konstatimin se ky draft nuk është vendor, Kurti potencoi se në Gjykatë Kushtetuese “ne dërgojmë dokumente që janë vendore”.

“Një dokument ndërkombëtar le të shkoj le të testohet në një instancë ndërkombëtare”, përsëriti ai.

Për këtë mos-konstruktivitet në raport me Asociacionin, Kosova humbi edhe shansin të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.