Kurti në Uashington e ndjen presionin për Manastirin: Dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë

Njëzetekatër hektarët që i kërkon Manastiri i Deçanit, Kryeministri Albin Kurti përmend se kanë qenë dhuratë e Millosheviqit. Por, nga Uashingtoni, Kurti thotë se do një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Manastiri i Deçanit është përmendur tërthorazi nga Sekretari Blinken në letrën e tij në janar ndërsa vendet e QUINT’it kërkesën që Kosova t’ia regjistrojë tokën Manastirit e kanë përmendur haptazi shumë herë.

Në një intervistë dhënë nga qendra në Uashington, D.C., Kurti thotë se 24 hektarët të cilët i kërkon me ngulm Manastiri i Deçanit t’i kthehen në pronësi, ishin dhuratë e ish-liderit famkeq serb, Sllobodan Millosheviqit. Këtë herë, ai ka shtuar edhe “por”, pas kësaj fjalie që e ka thënë shpesh, kur është pyetur për thirrjet që t’i kthehen tokat Manastirit.

“…Por duhet theksuar se ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet në të tashmen nga Putini, kërkojmë që të distancohet edhe nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi sepse bëhet fjalë për 24 hektarë të cilët kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për manastirin e Deçanit, ajo ka qenë pronë publike dhe nuk do të duhej që ta abstrahojmë këtë fakt”, tha dje Kryeministri Kurti në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës”.

Ndonëse qëndrimi i Manastirit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese me qëndrimin e komunës së Deçanit dhe Qeverisë janë në dy ekstreme të kundërta, Kurti thotë në SHBA tha: “Por, unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe për të mirën publike, pa cenuar e diskriminuar askënd”.

Kryeministri përsërit se është i gatshëm që të fillojë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse në Kosovë të nacionalitetit serb, për të gjetur një “zgjidhje të mirë”.

Kohë më parë ai kishte thënë se ka kërkuar nga priftërinjtë kryesorë të Kishës Ortodokse në Kosovës që të nisin dialog bashkë, por sipas tij, ata nuk po e pranojnë këtë gjë, teksa shtoi se ai është i pari kryeministër që po e refuzojnë.

“I kanë pritur në takim e kanë dialoguar me të gjithë kryeministrat para meje, përveç me mua”, ka thënë Kurti.

Pastaj, në shkurt, Kurti kishte përsëritur qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje, është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.

Në fillim të qershorit, Kurti foli edhe njëherë për Manastirin, pasi spekulohej se dhënia e tokave do të ishte kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës,. Ai tha se nuk ishte “punë e mençur” të vendosej kushtëzim dhe se Qeveria nuk bën pazar.

“Nuk është që ne e bëjmë ndonjë pazar ma jep këtë ta jap atë, ne e mbajmë qëllimin tonë për t’u anëtarësuar. Ne e mbrojmë vetëm qëndrimin tonë parimor. Sa i përket aktgjykimit të gjykatës, pushtetet janë ndarë, pse kaq shumë kërkesë qe të ndërlidhet? Vazhdimisht na është kërkuar që të mos përzihemi në shtyllat tjera, mirëpo në këtë rast na kërkohet që të jemi aty pranë. Ne jemi një organ tjetër jo vetëm për nga shkalla por edhe nga natyra. Qeveria e Republikës së Kosovës i mbahet drejtësisë, nuk angazhohemi në logjikë pazaresh me askënd, kaq është thelbi i kësaj gjëje”, thoshte Kurti.

Vitin e fundit, ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj autoriteteve kosovare që të zbatohet vendimi i vitit 2016, i shpallur nga Gjykata Kushtetuese, e cila urdhëronte kthimin e 24 hektarëve tokë dhe pyll në pronësi të Manastirit të Deçanit.