Trajneri i Feronikelit '74

Kuqi pas suksesit të Feronikelit ’74: I përgëzoj lojtarët për suksesin e arritur

Trajneri Shefki Kuqi pasi e siguroi mbijetesën në Superligë me skuadrën e Feronikelit 74, i ka përgëzuar lojtarët për suksesin e arritur.

“I përshëndes dhe i përgëzoj lojtarët, këta janë ata që e kanë bërë detyrën. Kohët e fundit e kemi dominuar lojën. A është kjo loja që e kam pritur unë sot? Normalisht që jo. Kjo na bën që të besojmë që nëse je i drejtë, kur punon, puna gjithmonë të shpërblehet, edhe pse nuk ka qenë asnjë fitore që nuk e kemi fituar pa djersë, kështu që edhe sot e vazhduam në të njëjtën mënyrë. Fokusi kryesor këtë javë ka qenë te kjo ndeshje, pasi këta djem nuk e kanë merituar këtë situatë ku jemi sot, por ky është futbolli”, ka thënë Kuqi për “Art Motion” pas ndeshjes kundër Prishtinës së Re.

Goli i sulmuesit Alban Shillova ia ka siguruar Feronikelit 74, qëndrimin në Superligë edhe për një edicion tjetër.

Me golin e Shillovës, Feronikeli 74 mposhti 1:0, skuadrën e Ligës së Parë, Prishtinën e Re, dhe do ta vazhdojë garimin ne elitën e futbollit të Kosovës edhe për një edicion tjetër.