Beppe Sala

Kryetari i qytetit të Milanos i kërkon falje Koulibalyt

Kryetari i Milanos, Beppe Sala, i ka kërkuar falje mbrojtësit të Napolit, Kalidou Koulibalyt, pas abuzimeve raciste që mori mbrëmë në ndeshjen ndaj Interit në “San Siro”.

Tifozët e Interit bënë thirrje raciste në drejtim të Koulibalyt gjatë ndeshjes, të cilën e fitoi Interi me rezultatin 1-0 në kuadër të xhiros së 18-të në Serie A.

“Mbrëmë isha në stadium, duke ndjekur pasionin e babait tim”, ka shkruar Beppe në Facebook.

“Mirëpo u ktheva në shtëpi i dëshpëruar. Ato fishkëllima ndaj Koulibalyt ishin turpëruese”.

“Ishte një akt turpërues në drejtim të një sportisti serioz si ai, i cili është krenar me ngjyrën e lëkurës së tij”.

“Do të vazhdoj të shkoj ta shikoj Interin, por do ta bëj një gjest të vogël nëse dëgjoj përsëri gjëra të tilla. Do të largohem nga stadiumi”.

“Njëkohësisht i kërkoj falje Kalidou Koulibalyt, në emrin e Milanos dhe timin”.