Vrasja e Ivanoviq

Kryetari i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë: Urdhëruesit e vrasjes së Ivanoviqit mbrohen nga qeveria serbe

Kryetari i Lëvizjes Kombëtare të Serbisë, Miroslav Aleksiç, ka vlerësuar sot se Oliver Ivanoviq ishte një kërcënim për Listën Serbe të drejtuar nga Milan Radoiçiq dhe se është e qartë se qeveria në Serbi po i mbron urdhëruesit e vrasjes.

Aleksiç i tha televizionit Nova S se vrasja ishte “politike” dhe se asaj i parapriu një “fushatë brutale”.

“Lista Serbe drejtoi një fushatë brutale kundër Oliver Ivanoviqit, pas së cilës ai u vra dhe të gjithë e dinë se çfarë ndodhi më pas. Serbia humbi gjithçka që kishte në Kosovë për shkak të politikës së Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Serbe”, tha Aleksiç.

Ai shtoi se ideja e protestës së sotme të opozitës në Beograd është që përvjetori i vrasjes të lidhet me luftën kundër dhunës për të cilën qëndrojnë ato parti dhe të mos harrohet Ivanoviq, i cili, siç theksoi Aleksiç, humbi jetën ‘në përleshje politike’.