Kryeministri i Armenisë: “Shumë e mundshme” një luftë e re me Azerbajxhanin

Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan, ka paralajmëruar të premten për rrezikun e një lufte të re me Azerbajxhanin, duke e akuzuar Bakun për “gjenocid” në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut, të banuar me shumicë armene.

Bakuja dhe Jerevani kanë luftuar dy herë për këtë enklavë malore dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për paqe konsiderohet perspektivë e largët.

Bisedimet e zhvilluara nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, dhe më pas ndaras me ndihmën e Rusisë, kanë rezultuar me pak përparim.

“Për aq kohë sa të mos nënshkruhet ndonjë traktat dhe të mos ratifikohet nga parlamentet e të dyja shteteve, natyrisht, një luftë e re më Azerbajxhanin është shumë e mundshme”, ka thënë Pashinyan për agjencinë e lajmeve AFP.

Tensionet janë përshkallëzuar në fillim të muajit korrik, kur Azebajxhani e ka mbyllur përkohësisht korridorin Laçin, rrugën kryesore që e lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë.

Mbyllja e korridorit i ka rritur shqetësimet për krizë humanitare në atë rajon, i cili me raste përballet me mungesë të ushqimeve, ilaçeve dhe furnizimeve me rrymë.

“Ne nuk jemi duke folur për përgatitje të gjenocidit, por për një proces të vazhdueshëm të gjenocidit”, ka thënë Pashinyan, duke iu referuar krizës së Karabakut.

Sipas tij, forcat e Azerbajxhanit “e kanë krijuar një geto” në Karabak.

Rritja e angazhimit diplomatik të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Kaukaz, e ka zemëruar ndërmjetësues tradicional të tensioneve në këtë rajon, Rusinë.

Çfarë është Nagorno Karabaku?

Nagorno Karabaku, i njohur si Artsak nga armenët, është një zonë malore pa dalje në det, në Kaukazin e Jugut.

Që nga rënia e Perandorisë ruse në vitin 1917, edhe Azerbajxhani, edhe Armenia thonë se kanë kontroll mbi të.

Territori njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por banorët e tij janë kryesisht armenë etnikë dhe kanë Qeverinë e tyre, e cila ka pasur vazhdimisht lidhje të ngushta me Qeverinë në Armeninë fqinje, por nuk është njohur zyrtarisht prej saj apo shteteve të tjera anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Armenët, të cilët janë të krishterë, pretendojnë se kanë një dominim të gjatë historik në këtë zonë, që daton disa shekuj para Krishtit./REL