Zvonko Veselinoviq, krimineli dhe bashkëpunëtori i terroristit Milan Radojiçiq, i cili është ndjekur penalisht dhe dënuar në të kaluarën, është fotografuar sot në kundër-tubim të organizuar nga Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, para Kuvendit të Serbisë.
Zvonko Veselinoviq, kompanitë e të cilit marrin kontrata qeveritare serbe dhe i cili është i lidhur me vepra të shumta kriminale, është fotografuar në kundër-mitingun e Vuçiqit, transmeton Ballkani.info.
Siç ka shkruar më herët Istinomer, Zvonko Veselinoviq është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Hera e parë ka ndodhur në vitin 2003, në rrugën Rashkë – Kralevë, kur është ndaluar me tre persona të tjerë. Në makinë u gjetën 3 kilogramë e 190 gramë heroinë dhe vlera e drogës arrinte në 150 mijë euro.
Në gusht të vitit 2004, Veselinoviqi u ndalua me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e Slavisha Maksimoviqit, dhe nga fundi i vitit 2005, ai u arrestua në qendër të Mitrovicës veriore për vjedhje të dyshuar të veturës.
Gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2011, serbët nga veriu i Kosovës ngritën barrikada në vendkalimet kalimet kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut me qëllim që të pengojnë EULEX-in që të transportojë doganierët kosovarw në ato vendkalime. Ka pasur disa përplasje me policinë dhe gjatë një prej incidenteve ka mbetur i vrarë pjesëtari i Policisë Speciale të Kosovës, Enver Zymeri.
Ish komandanti i KFOR-it, Erhard Drews identifikoi Zvonko Veselinoviqin dhe vëllanë e tij Zharko si organizatorë të incidenteve në barrikada.
Në dhjetor të vitit 2011, Veselinoviqi u ndalua së bashku me vëllain e tij në Kopaonik dhe në aktakuzën kundër tij, Milan Radoiçiqit dhe Dragan Çurçiqit pasi që në mënyrë të paligjshme kanë përvetësuar 32 kamionë në pronësi të kompanisë së lizingut “Hipo Alpe – Adria Lizing” dhe në këtë mënyrë kanë marrë të paktën 23 milionë dinarë fitim material. Gjykata e Apelit shpalli të pafajshëm Veselinoviqin dhe Radoiçiqin, ndërsa Çurçiq u dënua me tre vjet. /Ballkani.info/







