Euro 2024

Krasniqi: Ndaj Zvicrës do të japim maksimumin, jemi shumë të motivuar

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në Hajvali para udhëtimit për në Bazel, ku të shtunën do të përballet me Zvicrën, në ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit I për kualifikimet Euro 2024.

Ndonëse me gjasa të vogla për kualifikim, matematikisht Dardanët ende janë në lojë për të siguruar një biletë për Evropianin që do të mbahet në Gjermani, pas barazimit të mbrëmshëm të Zvicrës me Izraelin, por për t’i arritur këtij qëllimi përveçse duhet fituar dy ndeshjet e fundit, duhet që Zvicra dhe Izraeli të mos fitojnë pikë ndaj Rumanisë.  Optimizmin para udhëtimit për në Bazel e shfaqi edhe futbollisti i Llapit, Ilir Krasniqi, i cili pati paraqitje shumë të mirë kundër Izraelit.

“Titullar me Izraelin? Ishte një ndjenjë fantastike, pasi ishte ndeshja ime e parë në 11-shen titullare. Ishte një ndeshje mjaftë e vështirë në një fushë të rënduar, por kemi dhënë maksimumin dhe besoj se jemi paraqitur mirë. Zvicra? Stadiumi pritet të jetë pothuajse i mbushur me përkrahës shqiptar. Na pret një duel shumë i vështirë, pasi dihet nivelin të cilin e ka Zvicra, por ne jemi shumë të motivuar, pasi e dimë se në stadium do ta kemi përkrahjen e madhe dhe shpresojmë në pikët maksimale. Gjasat? Matematikisht jemi ende në lojë, por dihet se do të jetë e vështirë. Ne do ta japim maksimumin, pastaj të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka thënë Krasniqi. /Gazeta Express/