Kraja i quajti puçistë akademikët që kërkuan shkarkimin e tij, krejt çka ndodhi në mbledhjen e ASHAK-ut

Kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ditë më parë shpëtoi nga shkarkimi. Ai në mbledhjen e kuvendit të ASHAK-ut, që ishte thirrur në përgjegjësi pas publikimit të analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, inicimin e procedurave për shkarkimin e tij e kishte cilësuar si tentim për puç.

Ndonëse akademia nuk u tregua shumë transparente, Demokracia.com ka siguruar procesverbalin nga mbledhja e 16 shkurtit, në të cilën Kraja nuk u shkarkua.

Kraja citohet të ketë thënë se nuk ekziston bazë ligjore dhe statutare për të vendosur në rend dite përgjegjësinë e kryetarit, respektivisht shkarkimin e tij.

“Sikundër ju thash, bashkëngjitur me ftesën keni marrë edhe kërkesën e 10 anëtarëve të Akademisë për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën është paraqitur edhe kërkesa për të marrë në përgjegjësi kryetarin e Akademisë. Në fillim të shkresës është kërkuar marrja në përgjegjësi, kurse në fund të saj shkarkimi i tij. Është diskutuar gjerësisht në Kryesi kjo kërkesë dhe është thënë se nuk gjendet asnjë bazë ligjore dhe statutare, që të merret në përgjegjësi kryetari i Akademisë dhe as shkarkimi i tij. E theksoj edhe një herë: asnjë bazë ligjore dhe statutare! Nëse nuk merret parasysh mungesa e bazës ligjore, atëherë bëhet fjalë për puç ose synim për puç dhe atëherë ju mbani përgjegjësi për këtë.”, kishte thënë Kraja, përcjell Demokracia.com.

Kraja përkundër që e skandalizoi opinionin, sipas këtij procesverbali nuk ndjehej fare përgjegjës. Madje, ai ka akuzuar Seksionin e Shkencave Shoqërore, të cilët e kanë thirrur në përgjegjësi, se kanë bërë keqpërdorime financiare, promovim të plagjiaturave, insinuata dhe gënjeshtra publike.

“Kjo pikë mund të përmblidhet “sjelljet e paligjshme” dhe “deklaratat skandaloze”: as njëra as tjetra nuk qëndrojnë. Sjelljet e paligjshme, veprimet e paligjshme dhe të gjitha deklaratat publike që kanë dëmtuar Akademinë, kanë ardhur rregullisht nga provenienca e Seksionit të Shkencave Shoqërore. Më vjen keq që më duhet ta them, madje nuk ndihem hiç krenar për këtë, por fenomenet që janë “promovuar” tashmë në Akademi, si ndërhyrjet politike, zgjedhjet dhe pranimet proteksioniste, keqpërdorimet financiare, insinuatat dhe gënjeshtrat publike, madje edhe plagjiaturat universitare kanë ardhur pikërisht nga kjo proveniencë”, ka thënë Kraja.

Ai ka akuzuar akademikët e tjerë se mbajnë mbledhje pa procesverbale, të cilat i ka quajtur ilegale.

Kraja ndonëse në “analizën” skandaloze e kishte sulmuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ai në mënyrë të paskrupullt ka thënë se publikimi i tij kishte të bënte me Serbinë.

“Më duhet t’ju përkujtoj me këmbëngulje se analiza e kontestuar ka të bëjë me Serbinë dhe unë nuk e kam të qartë nga vjen ky shqetësim kaq i madh i anëtarëve të Seksionit të Shkencave Shoqërore?”, është shprehur Kraja.

Më kritiku ndaj publikimit skandaloz të Krajës nga ky procesverbal i siguruar nga Demokracia.com duket se ka qenë akademik Muhamedin Kullashi.

Ai ka thënë se publikimi i paautorizuar i artikullit prej 40 faqeve i kryetarit Kraja në emër të ASHAK-ut nënkupton imponimin e pikëpamjeve të veta, për ngjarjet historiko-politike prej betejës së Kosovës (sh.XIV) e deri më sot. Sipas tij, ky publikim tregon se Kraja është i padenjë për ta drejtuar Akademinë.

“Në mbledhjen e Seksionit në fillim të vitit të kaluar 2022, ne e kemi kundërshtuar me një varg vërejtjesh, kërkesën e Kryetarit që ta nënshkruajmë atë tekst, përndryshe pa referenca shkencore. Çka implikon, në fakt, ky pretendim: implikon vullnetin e kryetarit të Akademisë që të mendoj dhe të shkruaj për ne; kjo i përngjet figurës së vëllait të madh, në romanin e G. Orwell 1984, i cili mëton t’i kursej të tjerët nga mundimi të mendojnë e të shkruajnë. Një autor tjetër i shekullit XVIII Kanti në artikullin “C’është iluminizmi ? »tekst ky që mësohet edhe në shkolla të mesme në shumë vende, na thotë se« Iluminizmi është dalje e njeriut nga gjendja e tutoratit për të cilën ai është vetë fajtor: kjo gjendje nënkupton se individi nuk është në gjendje të shërbehet me arsyen e vet pa qenë i dirigjuar nga një tjetër. » Mirëpo, paraqitja e rrejshme e artikullit personal, e pikëpamjeve dhe preferencave politike të kryetarit të Akademisë si pikëpamje e të gjithë anëtarëve të Akademisë implikon edhe suprimimin e diversitetit të pikëpamjeve të këtyre; është fjala, në fakt për një akt të falsifikimit; veprimi i tillë nga Kryetari është krejtësisht i padenjë për një Akademi të shkencave”, ka thënë ai.

Kullashi e ka kritikuar edhe për përdorimin e termit “bandave” ndaj anëtarëve të Akademisë, sepse, sipas tij, është e paprecedent në historikun e ASHAK-ut.

Ai ka theksuar se kërkesa e nënshkruesve është e qartë: pikërisht për shkak të veprimeve arbitrare, për shkak të keqpërdorimit të funksionit të tij dhe keqpërdorimit të Akademisë, për shkak të fyerjeve të rënda, për shkak të nxitjes së përçarjeve në Akademi.

“Ne kërkojmë shkarkimin e kryetarit. Ndonëse kemi pritur më se një muaj se ai do të dorëhiqet. Mendojmë se ai nuk ka më kredibilitet e autoritet legjitim që të ushtroj funksionin e Kryetarit, i cili duhet të kultivojë, veç tjerash, edhe harmonizimin e raporteve midis anëtarëve dhe seksioneve të akademisë. Termin « legjitimitet» e përdori këtu në kuptimin e pajtueshmërisë jo vetëm me ligjin por edhe me etiken dhe arsyen”, ka thënë Kullashi.

I indinjuar me sjelljet e Krajës është shprehur edhe Frashër Demaj. Kurse, Arsim Bajrami, ka thënë se dëmi që Kraja i ka bërë Akademisë është i pariparueshëm.

Por, për shqetësimet e kolegëve, Kraja ka thënë se nuk ndjehet përgjegjës dhe s’e nuk do të japë dorëheqje. Vërejtjet e akademikëve të tjerë ishin kryesisht për çështje teknike, që kanë të bëjnë me mënyrën e publikimit.

Ky është procesverbali i plotë nga mbledhja e Kuvendit të ASHAK-ut, të siguruar nga Demokracia.com: