Ardian Kozniku njihet si legjendë e futbollit kosovar dhe i atij shqiptar në përgjithësi.

Ish-futbollisti nga Gjakova e ka shkruar emrin e tij në histori pasi ishte bërë shqiptari i parë që e kishte fituar medaljen e bronztë në Kampionat Botëror.

Ndonëse e kishte përfaqësuar Kroacinë në atë eveniment prestigjioz dhe faktit që jeton në Zagreb qe një kohë të gjatë, Kozniku nuk i ka harruar asnjëherë rrënjët e tij.

Madje, ai është munduar ta promovonte gjithandej futbollin kosovar edhe në kohërat e vështira para pranimit në UEFA e në FIFA, edhe tash, shkruan “Gazeta Express”.

Ai e ka dhënë një intervistë për mediumin kroat “Index.hr”, ku ndër të tjera ka folur për eksperiencat që i kishte tek Hajduk Spliti dhe te Dinamo Zagrebi.

Po ashtu, Kozniku foli edhe për talentet kosovare, duke insistuar se ka me bollëk, sa që çdo ditë do ta mbushte nga një autobus me lojtarë të talentuar të vendit tonë.

Ndër të tjera, ai u ndal të fliste edhe për transferimin e fundit të Arbër Hoxhës nga Slaven Belupo në Dinamo Zagreb, i cili u zyrtarizua mbrëmë.

Kozniku është i bindur se, nëse Hoxha e tregon veten tek Dinamo, mund të marrë ftesë edhe nga Kombëtarja e Kosovës.

“Sa i përket kompensimit, unë vërtet nuk do të hyja në këtë, sepse vetë klubet e dinë më së miri se sa buxhet kanë në dispozicion. Sa i përket cilësisë së vetë Hoxhës, e njoh që më parë kur luante për Ballkanin. Atje ai tregoi potencial të madh dhe premtoi se do të shndërrohej në një lojtar të madh”, deklaroi fillimisht Kozniku.