Trajneri i Bayern Munichut, Niko Kovac, pretendon se Mats Hummels u largua nga skuadra e tij dhe iu bashkua Dortmundit këtë verë për t’i ikur konkurrencës për pozitën e qendërmbrojtësit.

Mats Hummels u kthye në Dortmund për 38 milionë euro muajin e kaluar, duke i dhënë fund kështu karrierës së tij trevjeçare me Bayernin, ku ishte transferuar pikërisht nga Dortmundi.

Mbrojtësi luajti si titullar vetëm në pak më shumë se gjysmën e ndeshjeve të ligës sezonin e kaluar, duke e humbur vendin e tij në formacionin e parë për shumë ndeshje gjatë sezonit, pas kritikave për paraqitjet e tij.

Ai u kritikua ashpër edhe për komentet e tij pas disfatës me rezultat 3-2 kundër Dortmundit në nëntor, kur Hummels pretendoi se e kishte pasur shikimin e paqartë dhe ishte ndierë i sëmurë para fillimit të ndeshjes. Hummels ishte zëvendësuar gjatë pjesës së dytë.

Bayerni tashmë ka arritur marrëveshje për mbrojtësin francez të Atletico Madridit, Lucas Hernandez, të cilët synojnë ta përdorin në pozitën e qendërmbrojtësit.

Pasi që pjesë e skuadrës së kampionit të Bundesligës është edhe Niklas Sule, 30-vjeçari Hummels do të përballej me një konkurrencë të madhe për pozitën e qendërmbrojtësit në formacionin e parë dhe Kovac thotë se pikërisht kjo konkurrencë e shtyu Hummelsin të largohet.

“Mats bëri një punë të mrekullueshme, veçanërisht në pjesën e dytë të sezonit. Ashtu siç tha edhe [presidenti i Bayernit] Uli Hoeness, në fund të sezonit Mats erdhi dhe na pyeti se cilat ishin qëllimet tona për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Kovac.

“Niklas Sule e bëri gjithashtu një punë të mrekullueshme, ai është titullar në ekipin kombëtar të Gjermanisë dhe ne e kemi blerë edhe Lucasin, të cilin duam ta luajmë në pozitën e qendërmbrojtësit. Kjo s’do të thotë asgjë”.

“Konkurrenca bën që vetëm lojtarët më të mirë të hyjnë në fushën e lojës. Në këtë rast, Mats deshi t’i shmangej kësaj situate. Ne e pranojmë këtë gjë dhe rezultati është që ai tani luan për Dortmundin”.

Hummels është pjesë e një liste të gjatë të lojtarëve që do të përforcojnë Dortmundin për sezonin e ardhshëm, pasi që klubi gjerman tashmë i ka transferuar edhe Julian Brandt, Thorgan Hazard dhe Nico Schulz.