Kosovarit ia vjedhin veturën BMW X5 gjatë pushimeve në Ulqin

M.M nga Prishtina kishte shkuar për pushime me familjen në Ulqin, por atje ia vodhën makinën. Ai ka treguar se e kishte lënë veturën e tipit BMW X5 në një parking në plazhën e madhe, sipas tij, rreth 100 metra në vijë ajrore nga pjesa ku qëndrojnë pushuesit.

“Rasti ka ndodhë më datën 9, unë e kam lanë kerrin në ora 11 në plazh , pastaj në orën 2:30 kam shkuar kam marrë diçka në kerr dhe kerri ka qenë në parkingun ku e kam lënë, kur kam shkuar në orën 5 me familjen për me u kthy në shtëpi, kerri nuk ka qenë, në vend të tij ishte parkuar një tjetër.”

M.M. bën të ditur që rastin e ka lajmëruar edhe në polici e se është hapur rast.

Por prishtinasi thotë se policia i ka thënë se kanë fakte, e se do t’ia gjejnë makinën, kurse pas tetë ditësh i kanë thënë se mund të largohet sepse nëse ka diçka do ta lajmërojnë.

“Ka pas kamera, te veturat jo, më larg, prandaj nuk shihet kush e ka marrë, por ka pas kamera te rruga kryesore ku del makina, policia ka thanë që i ka marrë pamjet, unë kam shku kam pyt personalisht, por nuk kam mund me i pa.”

Ai tutje thotë se në fakt ndihet më shumë i thyer moralisht dhe se brengoset për dokumentet që gjendeshin në kerr e që i ka humbur, njofton Klankosova.tv.