“Korniza e re” e dialogut, Maliqi: Kosova s’duhet të heq dorë nga kërkesa për njohje të drejtpërdrejtë

Analisti Agon Maliqi ka reaguar pasi të dielën është publikuar një “kornizë e re” e dialogut Kosovë-Serbi, ku sipas të njëjtës, të dyja vendet do të arrijnë një marrëveshje përmbajtësore vitin tjetër, kurse finalja pas 10 vjetësh.

Po ashtu, në atë dokument shihej se Kosova do të fitojë njohjen nga pesë shtetet mos-njohëse të Bashkimit Evropian dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia të përfitojë ndihma masive ekonomike nga ndërkombëtarët.

E sipas Maliqit, Kosova asnjëherë nuk duhet të heq dorë zyrtarisht nga kërkesa për njohje të drejtpërdrejtë, teksa shtoi se nuk duhet harruar se edhe “njohja e tërthortë” e cila ia hap Kosovës rrugën për njohjen e shteteve të BE/NATO dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare (sidomos atyre evropianë) është de fakto njohje, sepse siç thotë ai, ia zgjidh në masë të madhe Kosovës problemin më të madh të izolimit.

Sipas tij, le të mos e njohë Serbia formalisht një shtet i cili për disa vite, për shkak të heqjes së pengesave, mund të jetë pjesë e NATO-s.

“Gjithsesi, “njohja e tërthortë” sipas modelit të dy Gjermanive, si formë e “shpëtimit të fytyrës” për Vuçiq, do të duhej që njëkohësisht ta ulte edhe koston e kompromisit nga ana e Kosovës. Kjo edhe për faktin se Kosova nuk ka garanci për hyrje në OKB, ku pengesë është Rusia e cila i ka pazaret e veta me perëndimin. Pamundësia për ta imponuar një kompromis paralizues i cili do ta zhbënte së brendshmi efektin e njohjeve ndërkombëtare është shqetësimi kryesor i Beogradit. Jo rastësisht zëra nga “shteti i thellë” kleriko-fashisto-nacionalist në Serbi janë të alarmuar paksa nga zhvillimet e fundit. Mbetet të shihet se kush do t’ju bashkohet atyre në Kosovë”, ka shkruar ai.