Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Pas pranimit të informacionit, njoftohet se hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës. Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik”, njofton IPK.

IPK njofton pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet tutje në njoftim.

Bëhet e ditur se togeri për të cilin flet IPK-ja është Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, shkruan Ballkani.info.

Lidhur me këtë lajm sonte ka reaguar edhe Këshilli Drejtues i kësaj Sindikate.

“Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës se Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së respektivisht Kryetarit të SPK-së ne veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim te IPK-së edhe është suspenduar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës zt. Imer Zeqiri nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Fotografim dhe incizime tjerat te paautorizuara nga neni 202 i KPRK-së. Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo çofshin ato, duke premtuar angazhim te plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK-së do te dal me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit në SPK”, thuhet në reagimin e Sindikatës. /Ballkani.info/