Komiteti Olimpik i Kosovës prezanton listën finale të sportistëve

Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar listën finale të sportistëve kosovarë të cilët do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike.

Kosova do të prezantohet me 11 sportistë në “Tokio 2020”, tre më shumë se sa në Olimpiadën e vitit 2016, ku ishin tetë sportistë.

Prej 11 sportistëve kosovarë në Tokio, gjashtë prej tyre do të jenë femra, kurse pesë meshkuj nga gjashtë sporte të ndryshme, xhudo, mundje, atletikë, not, boks dhe shenjëtari sportive.

Nga xhudoja me normë olimpike do të marrin pjesë, Majlinda Kelmendi në kategorinë 52 kg, Nora Gjakova 57 kg, Distria Krasniqi 48 kg, Akil Gjakova 73 kg, dhe Loriana Kuka 78 kg.

Me normë nga sporti i mundjes, është Egzon Shala në disiplinën stil i lirë, kategoria 125 kg. Me ftesë nga komisioni trepalësh janë, boksierja Donjeta Sadiku, 57-60 kg, Drilon Ibrahimi, shenjëtari sportive, disiplina 10 metra pushkë ajrore kurse të ftuar për shkak të vendeve të rezervuara, janë Eda Zeqiri, not disiplina 400 metra stil i lirë, Olt Kondriolli, 100 metra stil i lirë dhe atleti Musa Hajdari disiplina 800 metra vrapim.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka deklaruar në konferencën për media se nëse vetëm një medalje e fiton Kosova në Tokoi do të ishte sukses. Por, ai beson se do të fitohen më shumë medalje

Nga sportistët që do të marrin pjesë, e pranishme në konferencë ishte vetëm boksieria Donjeta Sadiku e cila në ditëlindjen e saj pranoi një orë olimpike nga kryetari Krasniqi. Ajo premton maksimumin.

Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova, do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike. Për dallim prej Olimpiadës së vitit 2016 në Rio ku pjesëmarrës ishin tetë sportistë, në Tokio do të marrin pjesë 11 sportistë kosovarë. Të enjten, Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar kontratë me Bankën TEB e cila do të jetë mbështetëse në rrugën drejt sukseseve të sportistëve kosovarë.