Koha kur Kurti përkrahte mësimdhënësit dhe thoshte se kanë të drejtë për rritje të pagës

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti çdo herë ka qenë në përkrahje të grevistëve.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kohën kur ishte në opozitë, iu ka dhënë përkrahje maksimale mësimdhënësve në kërkesën e tyre për rritje të pagës, shkruan Demokracia.com.

Më 22 janar të vitit 2019, Albin Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kishte shkruar se për gjendjen e krijuar në arsim është fajtore Qeveria dhe se sipas Kurtit, Qeveria e asaj kohe i vlerësonte shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit civilë.

Sipas Kurtit, Qeveria e atëhershme kishte krijuar pabarazi dhe rrjedhimisht sipas tij, përmes kësaj pabarazie ishte krijuar edhe varfëria e varfërimi i mësimdhënësve.

Kurti tutje në këtë postim të tij të janarit të vitit 2019, kishte thënë se zgjidhja e vetme është rritja e pagave për mësimdhënësit si dhe rritja e cilësisë në arsim.

“Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”, kishte shkruar Kurti atë botë kur ishte në opozitë, përcjell Demokracia.com.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Pabarazia vs. Varfëria?

Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre. Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram. /Demokracia.com/