Koeman thotë se karakteri i ndihmoi Holandës të kalojë në Final Four të Nations League

Holanda ishte në disavantazh të dyfishtë mbrëmë ndaj Gjermanisë por dy golat e shënuar në 5 minutat e fundit i sollën “Tulipanëve” barazimin dhe kualifikimin për në Final Four të Nations League.

Sipas përzgjedhësit Ronald Koeman, Holandës i ndihmoi karakteri i skuadrës më shumë sesa kualitetit për të evituar humbjen përballë “Panzerave”.

“Skuadra tregoi karakter. Nuk mendoj se kemi luajtur mirë. Ndoshta në këtë fazë është e vështirë për ne t’i zhvillojmë dy ndeshje me kundërshtarë të tillë. Mos të harrojmë Gjermania është një kombëtare e shkëlqyeshme, ndoshta më e mirë edhe se Franca. Por ne treguam se mund të rikthehemi edhe në sfida të kalibrit të tillë”, u shpreh Koeman.

Ish trajneri i Evertonit zbuloi se ideja për ta aktivizuar mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil Van Dijk në sulm gjatë minutave të fundit, ishte e asistentëve të tij, ndërsa shtoi se ishte lumturi shtesë për të fakti që kjo ide funksionoi pasi që golin e barazimit e shënoi pikërisht 27 vjeçari.