Trajneri gjerman

Klopp thotë se nuk arrin të mbajë secilin lojtarë të lumtur te Liverpooli

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp e ka pranuar se nuk do të jetë e lehtë t’i mbajë gjithë lojtarët e tij te lumtur nëse nuk kanë në dispozicion minuta në fushë.

“The Reds” u rikthyen në krye të tabelës pas triumfit të djeshëm në derbin më të madh në Angli kundër Manchester Unitedit, takim në të cilin protagonist absolut ishte Xherdan Shaqiri me dy golat e tij në fitoren 3-1.

Klopp u shfaq i kënaqur me paraqitjen e Shaqirit që u inkuadra në lojë nga banka rezervë, ndërsa shtoi se lojtarët duhet të dëshmojnë rëndësinë e tyre në mënyrë që të mbajnë vendin e titullarit.

“Nuk mund t’i mbaj lojtarët të lumtur. Iu takon atyre nëse duan të jenë të lumtur apo jo. Klubet e mëdha nuk janë të ndërtuara për t’i bërë të lumtur të gjithë anëtarët e skuadrës. Mendoj se djemtë e kanë kuptuar këtë gjë. Në këtë periudhë të ngarkuar ekzistojnë dy mundësi. Të luash derisa të lëndohesh ose kur duhet të menaxhojmë ndeshjet. Kjo është Premier League. Do të thotë se duhet të bëjmë ndryshime, dhe unë preferoj t’i bëjë ato para se futbollistët të lëndohen. Pastaj duhesh të zgjedhësh në mënyrë të veçantë për kundërshtarë të veçantë”, deklaroi Klopp.

Pas 17 xhirove të zhvilluara në Premier League, Liverpooli kryeson kampionatin me 45 pikë, një më shumë se përcjellësi i parë dhe kampioni në fuqi, Manchester City.