Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka thënë se Mohamed Salah në fillim të këtij sezoni është përballur me problemet që i ka shkaktuar lëndimi në krahë gjatë finales së edicionit të kaluar në Champions League gjatë një dueli me mbrojtësin e Real Madridit, Sergio Ramos.
Salah realizoi sërish në ndeshjen e fundit të Liverpoolit në udhëtim te Wolves, duke arritur në kuotën e 11 golave në Premier League. Vlen të përmendet se 5 nga 12 golat kanë ardhur në 2 javët e fundit, derisa ylli egjiptian ka shfaqur ngritje të formës, ndërsa Klopp beson se fituesi i çmimit të lojtarit më të mirë për sezonin e kaluar në Premier League është afër arritjes së kulmit të formës.
“Ai është mjaftueshëm i ri sa t’i shtojë kualitete të reja lojës së tij. Nuk është vetëm shpejtësia e konkretizimi, është edhe mbajtja e topit. Por për t’i realizuar këto duhet trupi dhe ky ishte problemi i vetëm i Salahut në fillim të sezonit. Krahu i tij nuk ishte në 100%, por nëse jeni profesionist ky problem iu merr vetëm 10-15% të kualitetit. Salah vazhdon të jetë lojtar i klasit botëror por ne kemi qenë të vetëdijshëm se duhej të prisnim deri në momentin kur gjithçka ishte në rregull”, u shpreh Klopp.
Trajneri gjerman këtë stinor i ka ndryshuar pozitën Salahut, duke e tërhequr në qendër të sulmit, ndërsa sipas Klopp, 26 vjeçari ia ka arritur të përshtatet në këtë rol.
“I duhej të adaptohej në një rol paksa më ndryshe. Salah vazhdon të ketë dëshirën dhe shpejtësinë gjë që është impresive. Dhe sigurisht ai është pjesë e rëndësishme e situatave ku duhet finalizimi”, përmbylli fjalët e tij ish trajneri i Borussia Dortmundit.







