Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i ka komentuar thirrjet islamofobe të disa tifozëve të Chelseat, të cilët mbrëmë e kishin cilësuar Mohamed Salahun si bombardues, për shkak që i takon fesë islame.

Tre tifozë të Chelseat u pezulluan nga stadiumi i Slavia Pragues pasi u zunë nga rojet e sigurimit të klubit londinez, duke bërë thirrje raciste, islamofobe ndaj sulmuesit të Liverpoolit, Mohamed Salah.

Liverpooli e Chelsea i lëshuan menjëherë dy deklarata të fuqishme kundër thirrjeve të tifozëve të Chelseat, të cilët këndonin “Salah është bombardues” sipas ritmit të këngës “September” nga Earth Wind and Fire.

Rojet e sigurimit të Chelseat ishin të pranishëm dhe nuk i lejuan këta tre tifozë të hynë në stadium për ndeshjen e klubit të tyre në Europa League kundër Slavia Prague.

“Është e gërditshme. Është diçka që nuk duhet të ndodhë asnjëherë. Ne nuk duhet ta shohim këtë si diçka e Liverpoolit apo e Chelseat”, është shprehur në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Chelseat në fundjavë.

“Është e vërtetë që ishin vetëm disa njerëz, por sa më i fuqishëm që të jetë reagimi, aq më shumë do të ndihmojë që gjëra të tilla të shmangen në të ardhmen. Njerëzve të tillë duhet t’i ndalohet hyrja nëpër stadiume për tërë jetë”, përfundoi Klopp.

Tifozët e Chelseat janë përballur me akuza për racizën disa herë këtë sezon, por edhe sezonet e kaluara. Klubi londinez ka reaguar ndaj këtyre rasteve të kaluara duke i identifikuar personat që i kanë bërë këto veprime dhe duke mos i lejuar ata të vijnë më në stadiumin Stamford Bridge.

Chelsea dhe Liverpooli do të përballen të dielën në Anfield, në kuadër të Premierligës. Kjo ndeshje është e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi që humbja ia dëmton Liverpoolit shpresat për titull, ndërsa Chelseat shpresat për një vend në top katërshe.