Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, la thënë se është duke jetuar si vetmitar, duke u izoluar brenda përveç kur i duhet të dalë për shkak të obligimeve rreth futbollit në përpjekje për t’ua sjellë të kuqve titullin e parë në Premierligë që prej vitit 1990.
Liverpooli i Kloppit është në vendin e dytë, më një pikë mbrapa kampionit në fuqi, Manchester Cityt, në një garë të nxehtë për titull në ligën elitare angleze.
Përveç titullit në ligë, të cilin e kërkon për herë të parë që prej vitit 1990, Liverpooli është duke u përgatitur edhe për një gjysmëfinale të nxehtë me Barcelonën e Lionel Messit në Ligën e Kampionëve.
“Unë nuk dal jashtë, përveç për futboll”, tha Klopp.
“Përse duhet ta bëj? Kam mjaft palë pantallona për 20 vitet e ardhshme, prandaj jam në rregull. Nuk shkoj në dyqane. Nuk e bëj asnjërën prej këtyre gjërave”, shpjegoi trajneri gjerman.
“Mund ta imagjinoj se atmosfera në qytet është shumë e mirë, por nuk kam nevojë ta dëgjoj, apo ta shoh. Mund ta imagjinoj njerëzit duan të dalin dhe të festojnë, të flasin, por ne nuk jemi pjesë të saj”, shtoi Klopp.







