Klopp i gatshëm të zbatojë dënimin pas festës së shfrenuar në derbin ndaj Evertonit

Federata Angleze e Futbollit (FA) ka hapur hetim ndaj trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp pasi ky i fundit golin e shënuar në minutat e fundit ndaj Evertonit në “Merseyside” e festoi duke u futur në fushë.

Trajneri gjerman është i gatshëm të paguajë secilin dënim që mund t’i caktohet nga FA, me organin drejtues të futbollit në Angli që ende nuk e ka marrë vendimin lidhur me këtë rast.

“Për këtë arsye janë rregullat dhe nëse i thyeni ato duhet të dënoheni. Kjo është normale nuk ka asnjë problem. Hera e fundit kur kam bërë diçka të tillë ka qenë para 14 viteve. Mund të iu siguroj se nuk do të përsëritet më. Por ai moment ishte shumë i veçantë, kjo është e gjitha nuk kam çfarë të them tjetër, nuk kam problem për të paguar gjobën, ne të gjithë bëjmë gabime dhe unë mësoj nga to”, tha Klopp.

Liverpooli ndodhet në pozitën e dytë në Premier League me 36 pikë, dy më pak se lideri, Manchester City, gjersa “The Reds” nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes pas 14 xhirove të zhvilluara.