Portieri brazilian

Klopp i gatshëm të paguajë dyfishin e çmimit për Alisson pas paraqitjes së mrekullueshme ndaj Napolit

Pas pritjes heorike të momenteve të fundit në përballjen vendimtare ndaj Napolit në Champions League, trajneri i Liverpoolit ka thënë se do të paguante dyfish për shërbimet e portierit brazilian, Alisson Becker.

Lideri i Premier Leagues u kualifikua për në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues pas triumfit 1-0 kundër Napolit.

Goli i Mohamed Salah 10 minuta para përfundimit të pjesës së parë i mjaftoi “The Reds”, por skuadra e Klopp kishte nevojë edhe për një ndërhyrje shpëtimtare të gardianit Alisson që i tha jo sulmuesit të Napolit, Arkadiusz Milik.

Alisson ka shkëlqyer këtë sezon me performancat e tij në fanellën e Liverpoolit, teksa në Premier League e ka mbajtur portën të pa prekur në 10 takime, dhe performanca e fundit e tij e ka lënë të kënaqur trajnerin Jurgen Klopp, që shpenzoi 80 milionë euro gjatë verës së kaluar për ta transferuar nga Roma.

“Nëse do e dija se Alisson është kaq i mirë, do të paguaja dyfish për të. Nuk kam fjalë për atë pritje që e bëri Ali, na shpëtoi jetën. Nuk kam parë asnjëherë diçka të ngjashme”, deklaroi Klopp.

Liverpooli e përfundoi grupin C në pozitën e dytë me 9 pikë të grumbulluara, po aq pati edhe Napoli por golaverazhi kualifikoi klubin anglez.