Klauzola shkak i dështimit të transferimit të lojtarit të Dritës te Llapi, garën për huazim e fiton Ferizaj

Llapi ka tentuar të “peshkojë” edhe te Drita këtë afat kalimtar të janarit, duke synuar transferimin e njërit prej futbollistëve të skuadrës gjilanase.

Klubi llapjan deri më tani ka nënshkruar me disa futbollistë, kryesisht futbollistë të rinj nga disa klube kosovare.

Demokracia.com ka mësuar nga burimet e saj se talenti i Dritës, Drilon Islami ka qenë në “radarin” e Llapit.

Mirëpo, meqenëse futbollisti ferizajas ka kontratë me Dritën deri në vitin 2024, transferimi ka dështuar për shkak të klauzolës që ka lojtari.

Portali ka mësuar gjithashtu se Drita ka kërkuar 20 mijë euro për klauzolën e futbollistit.

Interesim të madh për futbollistin ka shprehur edhe Ferizaj, që sipas burimeve, mësohet se kanë fituar garën për huazimin e Drilon Islamit.

Në fakt, interesimi për Islamin e solli në Gjilan edhe presidentin e klubit të Ferizajt, Lulzim Abazin i cili ka mbajtur një takim në fundjavë me drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberin.

Islami, 22-vjeçar në vitin 2021 nënshkroi kontratë të re me Dritën e cila e mban në Gjilan deri në vitin 2024.