Presidenti aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe organi që ai udhëheq kishin mbajtur të fshehtë letrën e dërguar nga UEFA para rreth dy muajve.
Në korrik të këtij viti, Gazeta Metro kishte raportuar ekskluzivisht se UEFA kishte dërguar më 10 korrik një letër drejt shtëpisë së futbollit kosovar.
Në bazë të rregullores (nenit 11, pika 1 dhe 2), UEFA kishte kërkuar përjashtimin ose ndalimin e ushtrimit të detyrës së FFK’së, për shkak se i pari i FFK’së, Agim Ademi, ishte i dënuar me 9 muaj burg efektiv dhe i është kërkuar ta dëshmonte pafajësinë e tij.
Madje, FFK përmes një reagimi kishte hedhur poshtë këto raportime nga Gazeta Metro dhe lajmin e kishte quajtur si spekulues. Por, Gazeta Metro ka arritur që ta sigurojë letrën e dërguar nga UEFA drejt kreut të FFK’së, aty ku ishte bërë e ditur se tashmë është hapur procedura disiplinore, letër kjo e cila ishte mbajtur fshehtë nga FFK.
(DOKUMENT: Letra e dërguar nga UEFA drejt krytarit të Federatës së Futbollit të Kosovës).
“Raporti i EDU-së i është dorëzuar Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s (CEDB), i cili do të vendosë për këtë çështje me rastin e takimit të tij të ardhshëm (data e së cilës do të komunikohet në kohën e duhur). CEDB mund të marrë vendimin e tij në bazë të dispozitave të DR përveç atyre të përmendura. Sa i përket procedurës, do të zbatohen dispozitat e nenit 37 të DR. Çdo deklaratë me shkrim, si dhe çdo provë që ju mund të dëshironi të paraqisni duhet të dorëzohen në Shërbimet Disiplinore jo më vonë se 24 korrik 2020 deri në orën 17:00” – thuhet mes tjerash në letrën e UEFA’s.
Kujtojmë se Agim Ademi ishte i dënuar për nëntë muaj burgim efektiv për kërcënim dhe sulm ndaj Dritëro Kadollit, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndryshe, Gjykata Supreme së fundmi e ka kthyer rastin e Agim Ademit në pikën zero, pra në rigjykim shkallës së parë, Gjykatës Themelore të Prishtinës. Kjo nënkupton që Ademi nuk është i ‘pastër’ ende para UEFA’s, pasi që duhet pritur vendimet e radhës nga organet e drejtësisë në Kosovë. Deri më tani, dihet që Komiteti i Etikës dhe organi më i lartë i futbollit europian, Agim Ademin, nuk e njeh si kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ademit i ishte shqiptuar dënimi prej 9 muajve burgim efektiv nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Më 18 qershor të këtij viti, Ademi ishte urdhëruar të vuante dënimin, mirëpo gjithçka kishte ndryshuar në fund, kur ishte vendosur që t’i shtyhet ekzekutimi i dënimit. Mbetet të shihet se cilat do jenë vendimet e reja.







