Kica-Xhelili pyet Kurtin: Ku e ke gruan e vajzën e shtëpinë?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica-Xhelili, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, kur ky i fundit tha se nuk ka asnjë të punësuar me mbiemrin e tij në ndonjë ministri.

Kurti u pyet sot nëse kishte koment në lidhje me emërimin e Rilind Gërvallës, aktivist i VV-së, si drejtor televizioni në RTK dhe u shpreh se ishte kryeministri i vetëm mbiemri i të cilit nuk ndodhej në ndonjë ministri tjetër.

Kica-Xhelili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar duke thënë se rehatimi i mbështetësve dhe përfshirja e tyre në afera milionëshe amnistohet pasi që nuk e kanë mbiemrin Kurti.

“Seriozisht? A mund ta imagjinoni? A mund ta analizoni si përgjigje? Domethënë, sipas tij, rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti”.

Tutje, ajo ka pyetur kryeministrin Kurti se ku e ka familjen, gruan e vajzën, se ku i arsimon e shëron.

“Shtëpinë ku e ke? Më të rëndësishmen, familjen, gruan e vajzën, ku? Ku i arsimon? Ku i shëron? A ballafaqohet vajza jote në shkollë me bullizimin që fëmijët e politikanëve në Kosovë i kanë duruar deri në vaj depresiv për shkak të diskursit tënd kur ti i shpallje tradhtarë? Varret e gjyshërve e babagjyshërve, dhimbjen e familjarëve të vrarë me mbiemrin tënd, a e ke”.