Khabib Nurmagomedov nuk do të kthehet në “kafaz”

Ish-luftëtari i arteve marciale të përziera, Khabib Nurmagomedov, e ka konfirmuar të mërkurën se nuk do të kthehet në “kafaz”.

“Ne kemi takime me Dana White, kreun e UFC-së. Ne diskutojmë për garat dhe luftëtarët, për luftërat e ardhshme. Por, herën e fundit nuk kemi folur për rikthimin tim në këtë sport sepse mendoj se ai e ka kuptuar që unë i kam dhënë fund karrierës”, ka thënë Nurmagomedov.

Përveç kësaj, Nurmagomedov në një konferencë për shtyp, ka thënë se ai do të hap shkolla të arteve marciale të përziera në shtete të ndryshme.

“Kemi disa shkolla të MMA-së në Dagestan. Vetëm sa kam mbërritur nga Abu-Dhabi. Do të hap shkolla edhe atje. Më e madhja do të jetë në Abu-Dhabi, me tre mijë metra katrorë hapësirë”, tha ai.

“Hapja do të bëhet në fund të dhjetorit. Natyrisht, dua të hap një shkollë edhe në Moskë”, shtoi Nurmagomedov.

Khabib Nurmagomedov u pensionua nga ky sport në fund të vitit të kaluar.