Zinedine Zidane pranoi të rikthehet te Real Madridi, me premtimin e Florentino Perezit, që në verë do të bëhet një merkato e pasur në emra, për të rikthyer madrilenët në garën për të triumfuar sërish në Europë.
Kaq mjaftoi që mediat të shfrenojnë fantazinë dhe të përfshijnë një sërë emrash, në listën imagjinare të preferencave të skuadrës madrilene.
Megjithatë “The Sun” ka shkuar më tej, duke analizuar emrat në hyrje dhe në dalje të Real Madridit, si dhe duke zbuluar një formacion të “Los Blancos” në sezonin e ardhshëm.
Kështu sipas tabloidit anglez, Toni Kroos, Gareth Bale, Marcelo dhe Marco Asensio janë në listën e futbollistëve që do të paketojnë valixhet për t’u larguar nga Madridi.
Parave të tyre, do t’u shtohen të tjera nga Perez, për të bërë një merkato spektakolare me emrat në hyrje, ku pritet që të vijnë elementë mjaft të njohur të këtij sporti.
Kështu përveç Eder Militaos që është blerë tashmë, madrilenët do të synojnë afrimin e Grimaldos në mbrojtje, Pogba dhe Declan Rice në mesfushë, dhe Hazard e Mbappe në sulm.
Po sipas “The Sun”, madrilenët tashmë kanë vënë në vijë edhe marrëveshjet për afrimin e Pogba e Hazard, ndërsa në verë do të përqendrohen kryesisht për të marrë Mbappenë dhe mesfushorin 19-vjeçar të West Hamit.
Më poshtë është edhe formacioni i Real Madridit, për sezonin e ardhshëm, gjithmonë sipas “The Sun”.








