Keqpërdorime nga prokurorët?- Vetëm 30% e kallëzimeve për korrupsion kthehen në aktakuza

Në IKD thonë se mundësitë e keqpërdorimit nga ana e prokurorëve janë të mëdha.

U bënë rreth 800 kallëzime penale për rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Por vetëm 30% e tyre, kanë përfunduar me aktakuza.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se 70% e rasteve mbyllen në prokurori dhe se mundësitë e keqpërdorimit nga ana e prokurorëve janë shumë të mëdha.

 “Në vitin 2019 në mars IKD-ja kishte publikuar raportin nga monitorimi i 3 viteve të fundit të sistemit të drejtësisë ku kishte dalë me statistika mbi 70% të rasteve mbyllen në prokurori dhe më e keqja është se këto raste mbyllen pa kontroll gjyqësor dhe nënkupton që prokurorët janë të zot dhe ata vendosin nëse do ta hapin një rast apo ta mbyllin dhe askush nuk i kontrollon”.

Ai thotë që, Kosova ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, pasi që nuk ka asnjë zyrtar të profilit të lartë të dënuar.

“Që nga shpallja e pavarësisë nuk kemi asnjë zyrtar të profilit të lartë të dënuar me aktgjykim të formës të prerë për korrupsion dëshmon mjaftueshëm që Kosova ka dështuar keq në luftën kundër korrupsionit”.

Sipas Miftaraj ndërhyrjet politike në drejtësi janë një sekret publik, por ai thotë se kohëve të fundit Kosova në raportet ndërkombëtare ka filluar të quhet shtet i kapur, dhe kësisoj duhet një ndryshim i shpejtë në drejtësi.

Madje, Miftaraj thotë se Prokurorët që prishin rastet janë të njëjtit që po ngriten në detyrë.

“Në Kosovë për shkak të mungesës të provave efikase dhe vlerësimit të perfomancës e disiplinimit kemi ardhur në një gjendje ku prokurorët që prishin raste ata të njëjtit ngritën në detyrë dhe krejt kjo mungesë e kontrollit dhe e mbikëqyrjes.”

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, fajin për përqindjen e vogël e hedh tek mosvullneti i njerzëve, për ti ndjekur rastet e korrupsionit.

“Edhe pse janë të plotësuara disa prej kushteve thelbësore ne prapë kemi rezultate të ulëta dhe jo të kënaqshme dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit për ti ndjekur këto raste të korrupsionit po ashtu mund të jetë edhe për shkak të frikës pastaj mund të jetë edhe për shkak të lidhjeve të ndryshme personale dhe politike”.

Sipas saj, mungesa e aktakuzave të forta dhe të bindshme tregon jo profesionalizëm dhe jo seriozitet e përkushtim të kërkuar për trajtimin e këtyre rasteve.