Kepa Arrizabalaga insistoi se zënka e tij në Wembley me Maurizio Sarrin ka mbetur në të kaluarën, por ishte i lumtur që e shleu atë gabim duke u bërë heroi i Chelseat mbrëmë në Ligën e Evropës.

Kepa i priti penalltitë e gjuajtura nga dy lojtarët e Eintracht Frankfurtit, Martin Hinteregger dhe Goncalo Paciencia, dhe e dërgoi Chelsea në finale të Ligës së Evropës, ku do të ndeshen me klubin tjetër nga Londra, Arsenalin.

Hera e fundit që Chelsea ishte në një finale, këtë vit në atë të Carabao Cup, ka mbetur në mendjen e tifozëve, pasi që Kepa nuk i kishte pranuar urdhrat e Sarrit për t’u zëvendësuar.

Manchester City e fitoi atë finale përmes gjuajtjeve të penalltive, mirëpo Kepa beson se e shleu gabimin e asaj ndeshjeve me paraqitjen e tij mbrëmë, në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, që kishte përfunduar me rezultat 1-1 (2-2 rezultati i përgjithshëm) pas kohës së rregullt dhe asaj shtesë.

“Penalltitë janë paksa me fat. Ne humbëm në finalen tjetër, por fituam sot. Kështu e ka futbolli. Atmosfera ishte shumë e mirë dhe ne luajtëm kundër një ekipi shumë të fortë. Jemi shumë të lumtur”, ka thënë Kepa.

“Ne gjithmonë përgatitemi për të gjitha ndeshjet, për të gjitha gjuajtjet e penalltive, por sot patëm fat”.

“Wembley është në të kaluarën. Unë kam mësuar nga ajo gjë, u kam kërkuar falje të gjithëve, por ne gjithmonë punojmë dhe sot ishte një tjetër ndeshje, një tjetër gjysmëfinale dhe jam i lumtur që u kualifikuam për finalen në Baku”.

Edhe finalja e Ligës së Kampionëve, edhe ajo e Ligës së Evropës, do të përbëhen nga katër klube nga i njëjti vend për herë të parë në histori. Liverpooli dhe Tottenhami do të garojnë për titullin e Ligës së Kampionëve, ndërsa Tottenhami dhe Chelsea për atë të Ligës së Evropës.