Sulmuesi i Përfaqësueses së Anglisë, Harry Kane, e ka vlerësuar lart Shqipërinë, kundërshtarin e ardhshëm në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Kane ka pranuar se Shqipëria ka një mbrojtje shumë të fortë dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e parë që u luajt në Tiranë, që përfundoi 2:0 në favor të Anglisë. Atëbotë, Kane e kishte shënuar golin e epërsisë për Anglinë.

Pavarësisht, vlerësimit për Shqipërinë, Kane ka thënë se Anglia do të futet për fitore që i nevojitet për ta konfirmuar vendin e parë në Grupin I pas barazimit muajin e shkuar me Hungarinë (1:1). Anglia i prinë grupit me 20 pikë, tri më shumë se Polonia kurse Shqipëria është e treta me 15 pikë të mbledhura.

“Kjo ndeshje është pika e kthimit pas barazimit të fundit që e patëm me Hungarinë. Fitorja në atë ndeshje do të na kishte ndihmuar shumë, por tani duhet të përgjigjemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Kane në konferencën për shtyp.

“Shqipëria ka një mbrojtje shumë të mirë, e cila është e vështirë të thyhet dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e parë. Ne kemi punuar në grumbullim në këtë aspekt dhe besoj se do ta lëvizim topin më shpejtë sesa në ndeshjen e kaluar. Kemi lojtarë që mund të shënojnë gola në momente të rëndësishme dhe duhet të fitojmë. Ne gjatë gjithë kohës kemi luajtur me mentalitetin që të kualifikohemi në Kampionatin Botëror dhe kështu do të jetë edhe ndaj Shqipërisë”.