Kanë mbetur vetëm 5613 bileta pa shitur për Kosovë-Azerbajxhan, ka pak probleme teknike

Për herë të parë, Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me “Alt 4” është duke bërë shitjen e biletave online. Derisa gjatë ditës është raportuar se ka pasur parregullsi dhe rënie të sistemit, kështu nuk thonë nga Federata e Futbollit të Kosovës

Kosovë-Azerbajxhan është ndeshja e fundit në Ligen e Kombeve e Kosovës, e cila do të zhvillohet të martën më 20 nëntor në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Derisa në dy ndeshjet e kaluara, për atë kundër Ishujve Faroe dhe Maltës, ishin krijuar radhë të gjata të njerëzve para dyqanëve të IPKO’së, sidomos në Prishtinë, këtë herë FFK në bashkëpunim me një kompani ka vendosur që të bëj shitjen e biletave online.

Mediat raportuan që sapo biletat ishin dalë në shitje, sistemi kishte rënë dhe nuk ishte mundur që të procesohet me blerjen e tyre.

“Nga informacionet që kam marrë, biletat janë duke u shitur normalisht, çdo minutë dhe kërkesat janë të shumta. Shumë tifozë kanë vërshuar faqen apo aplikacionin ku bëhet shitja. Por, sigurisht ka gabime gjatë procedimit te të dhënave në kompjuter”, ka thënë për Gazetën Express, Arianit Ahmeti zyrtar për media i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas Ahmetit, gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë, edhe pse me disa vështirësi të vogla.

“Deri me tani kanë mbetur edhe 5613 bileta pa shitur, pra deri në momentin e fundit kur kam kontaktuar me kompaninë, ky numër mund të zvogëlohet”.

Ahmeti ka shtuar se normalisht procesi është përcjellur me vështirësi, por kjo është e kuptueshme se mund të ndodh.

“Ka vonesa në procedim të email’ve, mandej te të dhënave të kartelës bankare, ku çdo personi i nënshtrohet një verifikimi para se të bëhet blerja e biletës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se mund të ndodh që edhe dikush të tentoi hakimin e faqes, në mënyrë që të blejë më shumë së “tri bileta” aq sa është thënë që mund të blejë një person.

Disa javë më parë, në një prononcim për media të njërës prej kompanisë që tani po i shet biletat, është thënë se në çdo biletë do të shitet emri dhe mbiemri i personit që e ka blerë atë, derisa ishte thënë se do të këtë verifikime shtesë për çdo biletë të shitur.

Ndërkohë, personi që do të blejë tri bileta po ashtu duhet të jep emrat e saktë për dy personat e tjerë.

“Për momentin, gjithçka është duke shkuar në rregull, kurse të gjitha biletat e shitura janë të verifikuara shumë mirë dhe se mjetet po derdhën si duhet në xhirollogarinë bankare. Pra, gjithçka po shkon sipas bankës”, ka thënë Fazliu.

Ndryshe, Kosova zhvillon ndeshjen e fundit kundër Azerbajxhanit në Prishtinë, e cila ndeshje mund të jetë përcaktuese se cila nga këto dy Kombëtare do të kalojnë tutje në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, ku fituesi nga Liga D mund të kualifikohet në Europian.

Para kësaj ndeshje, sot Kombëtarja e Kosovës ka udhëtuar për në Valletta te Maltës, ku do të përballet me maltezët.

Challandes dhe disa nga lojtarët e Kosovës kanë thënë se do të luajnë për fitore në Valletta.